Luca Modric është prej vitesh një ndër mesfushorët më të mirë në botë. Shtatshkurtri kroat ka fituar katër herë Champions League në 6 vitet e fundit, dërgoi Kroacinë në finalen e Kupës së Botës dhe vitin e kaluar u shpall fituesi i “Topit të Artë”.
Ai shpërtheu tek ekipi i Dinamo Zagreb, ndërsa në vitin 2008 u shit te Totenham për shumën e 21 milionë eurove. Ishte 26 prilli i vitit 2008 kur presidenti i Spurs udhëtoi drejt kryeqytetit kroat për të mbyllur marrëveshjen.
Zdravko Mamic mbante atë periudhë rolin e drejtorit ekzekutiv të Dinamos. Në një prononcim për “FourFourTwo”, ai na sjell një detaj interesant në lidhje me atë akord. Gjithçka lidhet me Daniel Levy, kreun e Totenhamit.
“Kishim arritur akordin për transferimin e Modric te Totenhami. I kërkova presidentit të tyre 5 uniforma të Totenhamit. Levy m’u përgjigj se do të mi jepte dhe Totenhami do të paguante një shumë më të vogël për kartonin e Modric. Shumës së 21 milionëve do i zbritej vlera e 5 uniformave. Ai është negociatori më i mirë në botë. Kjo histori më bëri të kuptoj se sa rëndësi i jep Levy çdo euro të vetme që del nga arkat e klubit të tij”, përfundon Mamic. /abcnews.al