“I kemi dhënë 2 herë votën kryebashkiakut”, banorët kundër HEC-eve: Ujin e kemi jetë, do ta mbrojmë

schedule17:10 - 10 Shkurt, 2020

schedule 17:10 - 10 Shkurt, 2020

Banorët e fshatit Zhulat në Gjirokastër janë kundër ngritjes së HEC-ve në zonën e tyre. Ata janë mbledhur së bashku dhe kanë dhënë të gjitha argumetat në lidhje me këtë projekt që nëse nuk ndalon do të lërë pa ujë dhe energji dhjetra fshatra të Njësinë Administrative Cepo. Kjo zonë nuk njihet për burime të pasura hidrike.

 “Ky nuk është investim, por një marrëzi e disa oligarkëve që tentojnë të prishin gjithçka”, tha një nga banorët.

Ndërsa një tjetër banor tha se i është bllokuar biznesi, duke theksuar se do ta mbrojnë ujin me jetë: “Jemi dëmtuar rëndë ekonomikisht, kanë prishur të gjithë biznesin, të mos afrohen këtu për ujin sepse ne atë e kemi jetë”, u shpreh ai.

Banorët e Zhulatit kanë edhe një kërkesë ndaj qeverisë shqiptare që nëse nuk pengon këtë projekt do të përshkallëzojnë reagimet dhe nuk do të kursejnë as jetën e tyre.

“Fëmijët tanë janë të gatshëm, edhe me luftë do ta mbrojmë. I kemi dhënë dy herë votën Flamurit dhe tani kërkon të na gjuajë me gurë”, shprehen banorët.

“Firma e ka bërë projektin në mënyrë të fshehur, nëse do të na e marrin këtë më mirë të na vrasi shteti vetë”, tha një tjetër qytetar.

Këta banorë akuzojnë edhe kreun i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemin si mbështetës të ndërtimit të HEC-ve, pasi kohë më parë kur ata u ankuan ai ka heshtur. Fshati Zhulat ndodhet në perëndim të Gjirokastrës dhe në të banojnë 300 persona./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!