I jepet lamtumira “Valsit të Përjetësisë”, artistit Avni Mula

schedule17:36 - 30 Tetor, 2020

schedule 17:36 - 30 Tetor, 2020

Nga Leontina Nika

 “Me dorë në zemër” e  zërin e tij në sfond, artistë, politikanë dhe dashamirës të mjeshtrit të muzikës shqiptare Avni Mula, kanë kryer homazhe në hollin e Universitetit të Arteve.

E bija Sopranoja e njohur Inva Mula, me zërin e dridhur ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjet në këtë ceremoni. Simbolikisht nga kjo derë ka fillesat arti i lirë.

“Këtu filloi arti i lirisë. Rroftë arti, rroftë Avni Mula, rroftë arti shqiptar” u shpreh Inva Mula.

Miku i tij bariton Minella Krici, e cilësoi muzë frymëzimi.

“Janë më shumë se 60 vjet. Avniun e bëra ikonën time. Pashë tek ai njeriun e kompletuar nga të gjitha anët. Një artist që e mahniti skenën”, thotë ai.

Ish-nxënësi i tij, Robert Radoja thotë se valsi i përjetësisë u bashkua në qiell me bashkëshorten me të cilat ishin në një skenë.

“Nina Mula e them pa rezervë që të dy bëjnë një, gjysma është Avniu, gjysma është Nina. Kjo është jeta e atyre dy artistëve dhe kontributi që kanë dhënë”, shprehet ai.

Zhani Ciko, kujton vitin 2011 kur u rikthye borana e Avni Mulës në skenë.

“Gjë që shërbeu edhe për një aksion tjetër të madh, që vepra të mos mbetej një dorëshkrim dhe të shpartallohej, por të digjitalizohej të përmirësohej në orkestracion. Jam i bindur që veprat e Avni Mulës në një moment më të mirë të institucionit tonë dhe kur krijimtaria shqiptare do të ketë vlerësimin e saj do të jenë vazhdimisht të gjalla”, tha Ciko.

Larmia e krijimtarisë dhe interpretimi i tij unik, e bëjnë të pavdekshëm Avni Mulën.

“Universiteti i Arteve ishte një simbolikë shumë e bukur sot që flet dhe dialogun me të rinjtë dhe studentët për të zgjuar edhe ndërgjegjësimin e tyre. Vërtet nuk i kemi fizikisht, por do të kemi veprën e tyre”, shprehet ajo.

Me marshin e bandës së ushtrisë dhe duartrokitjet e të pranishmëve, u përcoll për në banesën e fundit nderi i kombit Avni Mula i cili u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, duke lënë pas një kontributi të madh në artin shqiptar./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!