Këngëtari i njohur britanik Ed Sheeran i ka dhënë fund beqarisë në një ceremoni të fshehtë martese.
Tingujt e këngëve të Ed Sheeran kanë qenë vitet e fundit kolonë zanore për shumë histori dashurie, por së fundmi larg vëmendjes së mediave këngëtari i njohur duket se ka kurorëzuar me martesë dashurinë e tij. Ed Sheeran ka pranuar se është martuar me të dashurën e tij Cherry Seaborn. Zbulimi u bë rastësisht gjatë një interviste në të cilën pyetjes: “Na jep ndonjë detaj për martesën, a keni zgjedhur ndonjë datë apo vend”?
Sheeran i është përgjigjur pa fjalë, por pasi është skuqur pak ka treguar unazën në gishtin ku zakonisht mbahet unaza e martesës. Edhe pas këtij veprimi këngëtari britanik nuk ka treguar asnjë detaj më shumë apo më të qartë, por shenja e treguar nga vetë ai të lënë të mendosh se muaji i mjaltit tashmë ka mbaruar.
“Emocionuese, përgëzime miku im, komplimenta, por si ia ke dalë që ta fshehësh”- u pyet ai nga gazetari, të cilit Sheeran iu përgjigj se ai nuk i bën kurrë gjërat e tij shumë publike në asnjë rast.
Ed dhe Cherry kanë dalë hapur si çift në fillim të këtij vitit, kur ai postoi një foto në rrjetet sociale duke nënvizuar se ishte fejuar dhe se ishin shumë të lumtur dhe të dashuruar.
Dy bashkëshortët të cilët nuk e pëlqejnë përgjithësisht vëmendjen e medias janë njohur në bankat e shkollës, por shkëndija mes tyre lindi shumë kohë më vonë, gjatë një feste në shtëpinë e këngëtares Tailor Swift. Cherry duket se ka qenë dhe muza frymëzuese e shumë prej këngëve të vona të këngëtarit dhe në veçanti të hitit të tij të 2017 “Perfect”.