42 nxënës të gjimnazit “Janaq Kilica” në Fier kanë përfunduar në spital gjatë ditës së sotme pas vështirësive të menjëhershme me frymëmarrjen që ndjenë në ambientet e shkollës.
Abcnews.al raportoi e para për këtë ngjarje të rëndë duke ndjekur hap pas hapi zhvillimin e saj.
Lënda helmuese, që dyshohet se është një spraj është ndjerë nga nxënësit në katin e parë dhe të tretë të shkollës, të cilët kanë pësuar marrje mendësh, të vjella dhe vështirësi të shumta në frymëmarrje.
Pas dhënies së alarmit, mësuesit i nxorrën nxënësit me shpejtësi jashtë, ndërsa rruga para shkollës u mbush me autoambulanca dhe forca policie.
I gjithë Fieri përjetoi një situatë alarmi, ndërsa spitali u mbush plotë me nxënës në barrela.
Prindërit kanë reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar duke theksuar se kjo është hera e dytë brenda javës që fëmijët e tyre helmohen. Një javë më parë sipas tyre, ka qenë e njëjta situatë, por në përmasa më të vogla. /abcnews.al