I fundosi piruni dhe furgoni, Abcnews.al mëson si u zbuluan shokët e kamionistit me 2.6 ton kanabis

schedule19:54 - 8 Nëntor, 2020

schedule 19:54 - 8 Nëntor, 2020

Në datë 3 Nëntor në Mal të Zi u sekuestruan 2.6 ton kanabis në një kamion që hyri nga Shqipëria me një ngarkesë me fruta perime dhe që destinacion dyshohet se kishte Gjermaninë. Deri tani për kanabisin me vlerë miliona euro kanë rënë në pranga tre persona, shoferi i kamionit në Mal të Zi Elvis Çalik dhe dy të tjerë në Lushnjë, Arlind Tabaku 36 vjeç dhe Përparim Shurdhi 41 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një  tjetër person.

Sipas policisë kamioni me drejtues Elvis Çalik ishte ngarkuar në magazinën në pronësi të Shurdhit, i ndihmuar nga Tabaku dhe personi i shpallur në kërkim. Po sipas policisë Arlind Tabaku është personi i cili i kishte gjetur magazinën në Lushnje. Kaq është ajo që dihet deri tani.

Por Abcnews.al mëson detaje të reja si shkoi policia te dy të arrestuarit në Lushnje dhe dyshimet nga erdhi kanabisi dhe ku u ngarkua. Një burim i tha Abcnews.al se nga kamerat e sigurisë ka rezultuar se në magazinën që u fut kamioni në Lushnje, ku dyshohet se u ngarkua edhe kanabisi, u fut edhe një furgon i bardhë.

Megjithatë brenda në magazinë nuk ka kamera sigurie dhe nuk dihet nëse ngarkesa me kanabis është realizuar aty, edhe pse dyshimet kryesore të policisë janë pikërisht aty. Por nga erdhi furgoni? Kjo është enigma e madhe, ndërsa nuk përjashtohet Fushë Kruja duke u vendosur në krye të listës së pistave. Policia dhe prokuroria nuk janë mjaftuar me kontrollin e kamerave të sigurisë në hyrje të magazinës, por kanë ndjekur edhe lëvizjet e furgonit duke zbuluar një detaj të rëndësishëm.

Në hyrje të Lushnjes pranë një biznesi, nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se dy persona kanë zbritur shoferin nga furgoni duke e vijuar vetë më pas rrugën për në destinacion, që ishte magazina. Por cfarë kishte brenda furgoni dhe a u bë ngarkesa nga furgoni në kamionin me fruta në magazinë deri tani mbetet gjithçka në kuadër të dyshimeve, pasi brenda ambienteve nuk ka kamera.

E ndërsa magazinën e kishte dhënë me qira pak javë më parë, Përparim Shurdhi mohoi akuzat e ngritura nga prokuroria. Së bashku me të u prangos edhe Arlind Tabaku. Por si u zbulua ai? Brenda në magazinë nga kontrolli u gjet një pirun për ngarkimin e kamionëve. Nga hetimi rezultoi se dy personat, Tabaku dhe i shpalluri në kërkim pirunin e kishin blerë pak metra më tej në Lushnje në një pikë, madje nuk kishin bërë as pagesën duke i thënë pronarit se do ta shikonin dhe nëse u pëlqente do ta likuidonin.

Hetuesit edhe në këtë pikë nuk janë mjaftuar me dëshminë por kanë hapur kamerat e biznesit duke shkuar te fotot e dy personave që kishin bërë porosinë. Pra ishte piruni lëvizës që i çoi hetuesit te dy personat që akuzohen se ndihmuan shoferin e kamionit me kanabis. Por ku u ngarkua, nga erdhi kanabisi dhe për kalimin në doganën shqiptare drejt Malit të Zi vijojnë hetimet nga prokuroria e Shkodrës./ db/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!