Hundët, veshët dhe fyti, janë delikate nga ekspozimi ndaj të ftohtit.
Mjekja otorinalaringologe e spitalit Hygeia, Holta Sulaj thotë se gjatë temperaturave të ulëta njerëzit mund të përjetojnë simptoma të ndryshme të cilat në disa raste shoqërohen edhe me temperaturë.
“Me ekspozimin ndaj të ftohtit fillon një edemë e mukozës, prodhim i sekrecioneve të shtuara. Shfaqen simptoma të dhimbjes së kokës, të dhimbjes së fytit, bllokimi veshëve, kolla e thatë…të gjitha këto mund të shoqërohen me temperaturë ose jo.”
Moshat pediatrike janë edhe më delikate gjatë ekspozimit ndaj të ftohtit. Mjekja bën apel që prindërit të tregohen të vëmendshëm tek fëmijët e tyre sidomos për sa i përket bllokimit të veshëve. Kjo pasi ndryshe nga të rriturit kjo moshë nuk e shpreh shqetësimin.
“Një fëmijë që kalon një situatë të zgjatur me hundë të bllokuara, me kollë, me pak vështirësi në gëlltitje, pavarësisht se situata mund të kalojë pa temperaturë dhe pa shenja klinike të shprehura, prindi duhet të jetë i kujdesshëm që në një situatë të tillë të vërejë dëgjimin e fëmijës. Pavarësisht se mund të mos ketë dhimbje, mund të ketë një humbje të lehtë dëgjimi…Është një simptomë që nuk shoqërohet me dhimbje.”
Gjatë ekspozimit në temperaturat e ulëta të dimrit, këshillohet përdorimi i shallit për t’u mbrojtur nga këto simptoma. /abcnews.al/