Specialistët e Interpol Tirana kanë bërë ditën e sotme ekstradimin nga Gjermania të dy shqiptarëve. Njëri prej tyre është 40-vjeçari Florind Shabani, i cili akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e ish oficerit te policisë Roland Rexhepi, i njohur si “Doda”. Ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2009, në Elbasan.
Shabani ishte arrestuar në Gjermani pasi ishte shpallur në kërkim nga Interpol Tirana. Shabanit pritet t’i ofrohet roli i bashkëpunëtorit të drejtësisë me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të renda kriminale që kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit.
40-vjeçarit gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në shtator të vitit 2021, i ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Vrasja për të cilën akuzohet Shabani ka ndodhur më 22 korrik të vitit 2009, në lagjen Vullnetari në Elbasan ku u vra ish-oficeri i krimeve Roland Rexhepi. /abcnews.al/