PROFIL/ I dyshuar për disa atentate që kanë terrorizuar Lushnjen, si duket tani dhe kush është Orges Bilbili

schedule16:00 - 10 Prill, 2020

schedule 16:00 - 10 Prill, 2020

Arrestimi nga policia e Tiranës i Orges Bilbilit mund të quhet një sukses i konsiderueshëm.

Kjo për faktin se policia është e bindur se ai është një nga tre autorët e dyshuar të disa vrasjeve të pamëshirshme që vitet e fundit kanë terrorizuar banorët e qytetit të Lushnjes.

Së bashku me Laert Haxhiun dhe një person të tretë, të njohur nga policia, Orgesi dyshohet të jetë përfshirë në një serial vrasjesh, të ardhura si kundërpërgjigje ndaj krimeve të bandës së Lushnjës, që dikur drejtohej nga Alfred Shkurti.

Ngjarja më e bujshme do të ishte ajo e 11 tetorit 2017, kur në zemër të qytetit të Lushnjes, u ekzekutuan Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, – dy të rinj që njiheshin si miq të ngushtë të Xhulio Shkurtit, – nipit të Alfred Shkurtit.

Makabër dhe njëkohësisht terrorizues do të ishte edhe ekzekutimi, po në Lushnje, në 1 tetor 2019 i biznesmenit Besmir Hida, daja i Zamir Latifit, viktimës së dy viteve më parë, mëkati i vetëm i të cilit duket ishte ngritja e zërit në media për zbardhjen e vrasjeve të tetorit 2017.

Dy muaj më pas, më 14 dhjetor, viktima e fundit që dyshohet se ka autorësinë e këtij grupi, mendohet të jetë Enver Boriçi, një ish-anëtar i bandës së vjetër të Alfred Shkurtit, njohur ndryshe si Aldo Bare.

Interesant është fakti se në të gjitha ngjarjet e sipërpërmendura policia lokale nuk ka mundur të sigurojë qoftë prova fizike, qoftë dëshmi, për përfshirjen e Orges Bilbilit apo anëtarëve të tjerë të këtij grupi kriminal, në këto vrasje.

Deri ditën e sotme, shpallja e Orges Bilbilit në kërkim mbështetej nga një dënim me 7. 4 vjet burgim për trafikim lëndësh narkotike.

Bilbili ishte gjetur fajtor nga gjykata pas përfshirjes, në ngjarjen e vjetër të 10 majit 2014, kur në rërën e Divjakës ngeci një avion i drejtuar nga italiani Xhorxhio Riformato, me anë të të cilit do të transportohej një sasi marijuane në drejtim të Italisë./abcnews.al