I dënuar për 6 vepra penale në burgun e Peqinit, Ministri Manja urdhëron vendosjen në regjimin e posaçëm të të dënuarit Ilir Kupa

schedule15:54 - 11 Dhjetor, 2023

schedule 15:54 - 11 Dhjetor, 2023

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka urdhëruar vendosjen në regjimin e posaçëm të të dënuarit Albert Kupa, i njohur me emrin Ilir Kupa, i cili po vuan dënimin për 6 vepra të ndryshme penale në burgun e Peqinit. Pas këtij urdhëri, ai do të transferohet në regjimin e posaçëm.

Sakaq, Ministri i Drejtësisë paralajmëron se në bashkëpunim me SPAK, të tjerë të dënuar do t’i nënshtrohen këtij regjimi.

“Jemi të vendosur për të garantuar rendin dhe sigurinë në të gjitha burgjet e vendit dhe cilido i dënuar thyen rregulloren e burgjeve, apo kryen vepra penale në burg duke cënuar rendin dhe sigurinë në IEVP, do t’i nënshtrohet këtij regjimi sipas ligjit“, tha ai.

Kujtojmë, që ky shtetas në vitin 2014-2015, ka qenë i përfshirë në aktivitetin kriminal të grupit të “Babagjyshëve”, pjesëmarrës në disa vjedhje/grabitje, si dhe dhënien e vlerave monetare me përqindje. Gjithashtu, ka qenë person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga shteti grek.

Kupa është njëri ndër të dënuarit shqiptarë që u arratis me bujë nga burgu i Trikallas në Greqi në vitin 2013 duke shkaktuar tërmet në sistemin e drejtësisë në shtetin helen.

Ai bëri bujë edhe me grabitjen e në qendrën tregtare në prag të vitit të ri, ku një grup personash të veshur si Babagjyshë të Vitit të Ri u futën në një argjendari duke marrë me vete sasi të mëdha floriri. Pas arrestimit, Kupa u dënua me 23 vite burg për grabitje dhe armëmbajtje pa leje./abcnews.al