Në gjykatën e Elabsanit u zhvillua dhe një tjetër seancë, ajo për njohje të uljes së dënimit për Aldo Baren, i dënuar me burg përjetë. Avokati i tij kërkoi të njihet me provat dhe dosjen e burgut të Peqinit. Ai pati pretendim edhe për vendimin e gjykatës, që sipas tij është dhënë në kundërshtim me ligjin.
Mbrojtësi i tij, Oligert Kume tha se është kërkuar ulje dënimi për vitet 2014-2021 referuar Ligjit për trajtimin e të burgosurve pasi për çdo vit ligji parashikon ulje dënimi me 45 ditë kalendarike duke patur parasysh amnistinë e vitit 2014.
“Duke marrë shkas që ne nuk kishim dijeni për këto prova të sjella sot, kemi kërkuar shtyrjen dhe zhvillimin në një datë tjetër të seancës. Në datën 22 dhjetor 2022 nga Gjykata e Lartë në dhomë këshillimi pa prezencë të palëve është marrë një vendim absurd juridik, sepse është shkelmuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese i 2017 që urdhëronte Gjykatën e Lartë të merrte në shqyrtim dhe njëherë këtë çështjes duke mos i mohuar të drejtën palëve për t’u përfaqësuar dhe bërë një mbrojtje. Është përdhosur një vendim duke bërë një puç kushtetues sepse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë akte që detyrojnë çdo gjykatë t’i zbatojë.
Trupa gjyqësore që nuk kishte as kualifikimin e duhur për këtë çështjes, pasi dy prej anëtarëve nuk kanë pasur specializimin e duhur dhe në një hark kohor të shkurtër kanë lënë në fuqi vendimin kapital. Ne do të ndërmarrim hapat tona të nevojshëm për ta goditur këtë akt pranë Gjykatës Kushtetuese duke informuar dhe ILD, duke referuar dhe kërkuar hetim disiplinor për këtë çështjes që kanë bërë gjyqtarët për çështjen në fjalë.
Në Gjykatën Kushtetuese do kërkojmë sërish rrëzimin e vendimit të Gjykatës së Lartë pasi na janë mohuar të drejtat për mbrojtje. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk do ta marrë në shqyrtim do t’i adresohemi Gjykatës së Strasburgut për të drejtat e njeriut“ u shpreh Kume në një prononcim për mediat.
Aldo Bare është dënuar me “burg përjetë” për 4 vrasje mes tyre dhe Artur Dajës me të cilin banda e tij u konfliktua gjatë viteve ‘97 pasi këta të fundit i vranë vëllain. Të tjerë krime sipas vendimit të 2011 janë 4 vrasje të mbetura në tentativë, krijim i organizatës kriminale dhe armëmbajtje pa leje.
Aldo Bare u ekstradua në Shqipëri më 25 nëntor 2009 nga Ankaraja e Turqisë ku u arrestua për llogari të drejtësisë shqiptare. Nga ana tjetër, Prokuroria për Krimet e Rënda akuzonte Baren për të paktën 15 vrasje, krijim të organizatës kriminale, shkatërrim prone me zjarr si dhe trafik droge./abcnews.al