EMRI/ I dënuar me 8 vjet burg, kapet shqiptari i kërkuar nga Italia

schedule10:28 - 9 Shkurt, 2023

schedule 10:28 - 9 Shkurt, 2023

RINAS- Në Rinas është bërë e mundur kapja e një shqiptari të dënuar me tetë vjet burg në Itali për disa vepra. Policia bën me dije se i arrestuari është Dritan Hyka (Asimaj), nga Vlora. Tashmë do të nisin procedurat për të bërë ekstradimin e tij drejt Italisë.

Njoftimi i Policisë: 

Në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 8 vjet burgim, në Itali, për disa vepra penale, kapet dhe vihet në pranga me qëllim ekstradimin, 38-vjeçari nga Vlora. Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për verifikimin e detajuar të dokumenteve të shtetasve që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSh-së, kanë kaluar për verifikim të detajuar të dokumenteve, shtetasin Dritan Hyka (Asimaj), 38 vjeç, banues në Selenicë, Vlorë.

Pas verifikimeve të kryera nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, ka rezultuar se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Milanos e ka dënuar me 8 vjet burgim, për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni”, “Trafik droge”, “Vjedhje banese, në tentativë” dhe “Shkelje e ligjit për migracionin”, parashikuar nga legjislacioni penal i Italisë.

Gjatë vitit 2012, ky shtetas ka shfrytëzuar prostitucionin e një numri të madh femrash shqiptare dhe rumune, në Milano, Itali. Gjithashtu është përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike kokainë, ka mbajtur pa leje armë zjarri pistoletë, në ambiente publike, dhe ka tentuar të vjedhë në një apartament, por nuk ka mundur për shkak të ndërhyrjes së Policisë. Në vitin 2009, ka shkelur ligjin për migracionin, pasi nuk ka zbatuar vendimin për të mos hyrë në Itali, për 10 vjet.

Në vijim të veprimeve, shtetasi Dritan Hyka (Asimaj) u arrestua me qëllim esktradimin drejt Italisë.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Roma, vijon procedurat për ekstradimin e tij, drejt këtij shteti.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!