I biri i Mitrush Kutelit: Të bashkohemi dhe të punojmë për vendin, njerëzit kthehen

schedule18:36 - 9 Dhjetor, 2022

schedule 18:36 - 9 Dhjetor, 2022

Ish ambasadori shqiptar në Romë, Pandeli Pasko në një intervistë për emisionin “Ballkan” me Linda Karadakun foli për aspiratën e Shqipërisë për të hyrë në BE dhe për punën e të atit, Mitrush Kutelit. Kur u pyet se çfarë duhet bërë që Ballkani të bëhet si pjesa tjetër e Evropës, Pasko tha se së pari duhet të ndryshojmë konceptin duke iu referuar rajonit si Evropa Juglindore.

“Unë di të them se njerëzit e bujqësisë duan bashkëpunim dhe as e pyesin njëri tjetrin kur merr një fidan. Nga Shqipëria drejt Malit të Zi vijnë fidanë ulliri, shkëmbejnë materiale dhe nuk pyesim se çfarë mendojnë krerët politikë. Së pari, mendoj t’i ndërrojmë emrin si ogur i mirë sepse njerëzit ndihen evropianë. Nuk kam parë ndonjë ndryshim mes një fermeri italian apo shqiptar, kanë të njëjtat aspirata dhe mundohen të rregullojnë me aq sa munden.”, u shpreh Pasko.

Ndërkohë, i pyetur për samitin e BE-së në Tiranë, ai shtoi: “Ishte pamje mbresëlënëse dhe mikpritje shqiptare dhe për ne është hap i madh drejt Evropës. Konsideratat e tyre për Shqipërinë ishin pozitive dhe na jep shpresë. Duhet të punojmë dhe më tepër që t’i japim mundësi zbatimi të aspiratave që Shqipërinë jo vetëm ta duam por ta bëjmë si gjithë Evropa.

Nuk kemi dallime, nuk jemi ne të këqijtë e Evropës. Nuk kemi bërë luftë por kemi ikur nga vendi kur kushtet s’kanë qenë të mira. Të bashkohemi që t’i rregullojmë. Njerëzit kthehen sepse është toka që të tërheq.”, tha ai. Mes të tjerash, ai u ndal dhe te babai i tij, shkrimtari i mirënjohur Mitrush Kuteli. Teksa foli për rëndësinë që kishte Kosova te babai i tij, ai tha:

“Është dashuria për vendin e lindjes, dashuri që ndihet në çdo fjalë të veprës së Kutelit. Ai sakrifikon nga koha e vet për të botuar atë që ishte më i mirë i letrave shqipe të asaj zone, të Lasgushit, sakrifikon për Nolin, dhe tërhiqet kur shikon se puna e tij s’ka më vlerë për Shqipërinë por ama deri në atë moment nuk tërhiqet derisa bën reforma.

Nuk pranon reformat ekonomike shtypëse, diti të tërhiqet dhe të mos bëhet pjesë e atij sistemi i cili e varfëroi Shqipërinë nga ana shpirtërore dhe ekonomike saqë i ndjemë ende pasojat. Nuk u vlerësua si duhet ajo që përpiqemi ta krijojmë dhe kemi shumë intelektualë nga anët e kufijve por tani duhet të vlerësohen siç duhet. Ata janë indi.“, tha ai. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!