I arrestuari për ekzekutimin e Kastratit, Albert Zaja i përfshirë në një tjetër vrasje

schedule18:11 - 31 Mars, 2021

schedule 18:11 - 31 Mars, 2021

Nga Xhensila Kodra

Albert Zaja, i arrestuari i vetëm si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Shkëlzen Kastratit në Fier, do të përballet edhe me një tjetër akuzë të rëndë.

37 vjeçari pritet t’i komunikohet akuza e “Vjedhjes me armë me pasojë vdekjen”, e kryer në bashkëpunim.

Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e 25 prillit të vitit 2018 në Kamzë. Gjatë një tentative grabitje në market, mbeti i vrarë në sy të djalit 6 vjeç, Agim Buci dhe u plagos bashkëshortja e tij, Merita.

Pak ditë pas këtij krimi, policia arrestoi dy autorët, Vladimir Kurtin, i dënuar tashmë me burgim të përjetshëm dhe Ruzhdi Hode me 26 vite.

Dy vite pas këtij krimi, Policia e Tiranës ka rihapur dosjen. Ka rezultuar se gjurmët e gishtave të fiksuara në automjetin tip “Volklsvagen” me të cilët u larguan autorët, përputhen me ato të Albert Zajës.

Gjithçka është zbuluar pas arrestimit të tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.

Hetuesit besojnë se 37 vjeçari ka pasur rolin e bashkëpunëtorit në krim. Ai dyshohet se ka qenë shoferi i mjetit me të cilët u larguan dy autorët, Vladimir Kurti dhe Ruzhdi Hode.

Albert Zaja ndodhet në qeli për vrasjen e Kastratit, ndërsa në kërkim vijojnë të jenë bashkëpunëtorët e tij, Elson Xheçuka, Roland Cara dhe Elmir Tufa, që sipas hetuesve janë paguar për të kryer krimin.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!