Shqipëria e nis edicionin e ri të Nations League kundër Bjellorusisë në Minsk. Kuqezinjtë e Edi Rejës do zbresin në fushë nesër në mbrëmje (e premte, 20:45) dhe fitorja është synimi i vetëm.
Kapiteni i kombëtares, Elseid Hysaj foli në konferencën për shtypin pas trajnerit italian, aty ku foli rreth gjendjes së skuadrës, duelit ndaj Bjellorusisë, objektivave dhe disa temave të tjera.
“Jemi afruar më shumë me njëri-tjetrin në këtë periudhë. Dua të falënderoj Mërgimin (Mavraj) dhe Bashën për atë që kanë dhënë për kombëtaren. Çdo vit do ketë ardhje të reja dhe largime, futbolli kështu është.
Ne po nxjerrim shumë lojtarë të rinj, po luajnë në Serie A, po kërkohen nga klube të mëdha dhe shpresojmë të vazhdojmë të nxjerrim lojtarë të rinj.
Përshtatja? Jemi munduar t’i fusim në grupin tonë. Janë lojtarë profesionistë, e kuptojnë se si duhet të reagojnë dhe të lëvizin. Po futen shpejt në grupin tonë.
Forma personale dhe e grupit? Forma ime nuk është 100%, kam vetëm një javë që kam nisur stërvitjen. Skuadra kundërshtare ka nisur kampionatin, ne akoma jo. Kështu që, do të kemi disi probleme në formën fizike.
Ndryshimi midis skemave te Napoli dhe Shqipëria? Kam provuar shumë role të ndryshme te Napoli. Besoj se mund të ambientohem edhe në mbrojtjen me tre, nga eksperienca e kuptoj se si duhet të lëviz.
Objektivi? E rëndësishme është ta fillojmë me këmbë të mbarë. Janë shumë të rëndësishme tre ndeshjet e para. Jemi gati të luftojmë për tre pikë me të gjithë skuadrat”, deklaron anësori shkodran. /abcnews.al