Mario Giuffredi nuk ka ditë që nuk flet për mediat italiane dhe sidomos për Radio Kiss Kiss. Sigurisht fokusi është sërish Elseid Hysaj, për të cilin thotë se Napoli ka refuzuar 50 milionë euro një vit më parë. Menaxheri italian është i bindur se nëse shkodrani nuk do të dëmtohej me Torinon, do të ishte duke luajtur rregullisht me skuadrën e kaltër.
“Është në interes të të gjithëve që Hysaj të transferohet në janar, duke pasur parasysh faktin që është në përfundim kontrate. Napoli, që një vit më parë refuzoi 50 milionë euro nga Chelsea, do të rrezikonte ta humbiste me parametra zero. Nëse sot nuk do të ishte i dëmtuar, ai do të luante pasi është një lojtar i fortë”, shprehet Giuffredi.
Më tej ai shprehet i sgurt që Hysaj do të ketë hapësira deri në fund të kampionatit. “Ndoshta do të luajë deri në fund të qershorit. Napoli mund të vendosë t’i japë hapësira deri në fund të sezonit. Presidenti De Laurentiis nuk më ka bërë ndonjë premtim, por nuk ka nevojë. Hysaj është një lojtar që nuk ka probleme me klubin dhe nuk është e thënë se nuk do të luajë deri në fund të qershorit. Me mua Napoli nuk ka pasur kurrë probleme. Kam mbrojtur interesat e klubit edhe kur u hapën negociatat për t’u shitur lojtari”, shton menaxheri i mbrojtësit të kombëtares.
Në fund ai flet edhe për opsionet e merkatos: “Valencia është një pistë që mund të përjashtohet tani. Ne marrim në konsideratë çdo rast, brenda dhe jashtë Italisë. Roma? Ne verë kemi folur për të, por tani është herët. Sigurisht do të marrin në konsideratë çdo ofertë. Me Romën edhe mund të përshpejtohen bisedime, për shkak të situatës me Zappacostan. Gjithsesi ka akoma kohë. Hysaj, në kampionatet e shkuara ka qenë mbrojtësi më i mirë i krahut”. /abcnews.al