Hungari, qeveria pranon kërkesën e Gruevskit për azil

schedule18:27 - 14 Nëntor, 2018

schedule 18:27 - 14 Nëntor, 2018

Budapesti zyrtar ka pranuar kërkesën për azil të Nikolla Gruevskit. Duke konfirmuar lajmin, zyra e kryeministrit Orban ka deklaruar se pranimi është bërë për arsye sigurie. Ndërkohë, gjatë ditës policia maqedonase ka arrestuar dy ish-zyrtarë të lartë, që si ish-kryeministri, po përgatisnin arratinë nga frika e proceseve gjyqësore.

Autoritetet në Hungari kanë pranuar kërkesën e ish-kryeministrit maqedonas Nikolla Gruevski, i cili pak ditë më parë u arratis nga vendi i tij për t’i shpëtuar dënimit me 2 vjet burg. Lajmin e bëjnë të ditur mediat maqedonase, që citojnë burime pranë kabinetit të kryeministrit hungarez Viktor Orban. Sipas burimeve, Budapesti zyrtar ka pranuar përkesën e Gruevskit për arsye sigurie dhe do ta shqyrtojë atë në bazë të ligjeve hungareze dhe atyre ndërkombëtare.

“Duke pasur parasysh se Gruevski ka qenë për 10 vjet kryeministër dhe duke marrë në konsideratë rrethanat e sigurisë, autoritetet tona i kanë lejuar atij të dorëzojë zyrtarisht kërkesën për azil”, kanë deklaruar burimet e cituara nga mediat maqedonase.

Qeveria hungareze ka nënvizuar se nuk dëshiron të përzihet në punët e brendshme të shteteve sovrane, ndaj dhe kërkesa e ish-kryeministrit do të shqyrtohet vetëm në aspektin juridik. Ndërkohë, më herët gjatë ditës autoritetet në Maqedoni ndaluan dy ish-zyrtarë të qeverisë, që sikurse Gruevski po bënin gati arratisjen nga vendi. Me kërkesë të Prokurorisë Speciale policia arrestoi ish-ministrin e Transporteve, Mile Janakievski dhe ish-sekretarin e qeverisë, Kirill Bozhinovski, të cilët më pas u dërguan në burgun e Shutkës.

Më pas, Gjykata Themelore në Shkup vendosi ndaj tyre masën e arrestit me 30 ditë paraburgim. Janakievski po hetohet për 5 çështje të ndryshme nga Prokuroria Speciale, ndërsa Bozhinovski është subjekt hetimi në çështjen “Titanik”, që ka të bëjë me parregullësitë zgjedhore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!