Misioni i OSBE-së në Hungari ka kritikuar procesin elektoral, që u kurorëzua me fitoren e Viktor Orban. Në raportin paraprak denoncohet retorika armiqësore e partisë në pushtet, financimet dhe manipulimin mediatik.
Vëzhguesit ndërkombëtar që monitoruan zgjedhjet e përgjithshme në Hungari kanë dalë me një verdikt të rreptë ndaj procesit, duke e vënë theksin tek retorika ksenofobe, njëanshmëria mediatike dhe financimet e errëta të fushatës elektorale.
Zgjedhjet e së dielës u mbyllën me një fitore bindëse të Viktor Orban, i cili do të qeverisë vendin për herë të tretë si kryeministër. Orban dhe partia e tij, Fidesz, thuajse gjatë gjithë fushatës propaganduan ekskluzivisht programin për mbajtjen e emigrantëve jashtë vendit.
“Retorika ishte armiqësore dhe ksenofobe dhe ky është një fakt për të cilin ne ndjejmë keqardhje në kontekstin elektoral”, deklaroi Dagllas Uejk, shef i misionit të monitorimit të OSBE-së, në një konferencë për shtyp të mbajtur të hënën në Budapest.
Vëzhguesit konstatuan se fushata armiqësore elektorale kufizoi hapësirat për një debat të shëndetshëm dhe reduktoi në minimum shanset për informimin e votuesve. Gjithashtu, ata vunë në dukje se televizioni shtetëror në mënyrë të hapur favorizoi koalicionin qeverisës.
Raportet kritike për zgjedhjet në një vend të BE-së janë paksa të rralla, por nisur nga përmasat e fitores së Orban dhe indiferenca e tij ndaj kritikave të jashtme kanë pak gjasa që të kenë efekt të brendshëm në Hungari. Raporti paraprak i OSBE-së kritikoi gjithashtu ashpër përdorimin e fondeve publike për të ashtuquajturat “fushatat informative të qeverisë”.
“Procesi elektoral u karakterizua nga një përvetësim masiv i burimeve financiare nga partia në pushtet, që në këtë mënyrë asgjësuan shanset që partitë opozitare të merrnin pjesë në një garë në kushte të barabarta”, thuhet më tej në raportin paraprak./abcnews.al