Hungari, dhjetëra mijëra në mbështetje të Orban

schedule18:44 - 15 Mars, 2018

schedule 18:44 - 15 Mars, 2018

Dhjetëra mijëra hungarezë kanë marshuar këtë të enjte në Budapest në mbështetje të mandatit të tretë të kryeministrit Viktor Orban, popullariteti i të cilit është rritur nga qëndrimet kundër Bashkimit Europian.

Dhjetëra mijëra mbështetës të Viktor Orban në Hungari marshuan këtë të enjte në mbështetje të mandatit të tij të tretë, që kryeministri synon të fitojë në zgjedhjet e Prillit.

Shumica e manifestuesve e kanë përshëndetur kryetarin e qendrës së djathtë për linjën e tij të ashpër ndaj emigracionit. Me ta u bashkuan disa mijëra mbështetës të partisë konservatore polake, PiS, një tjetër subjekt politik që është në mosmarrëveshje me Brukselin sa i takon emigracionit dhe përpjekjeve për të kontrolluar gjykatat dhe mediat.

Mbështetësit e dy partive sfiduan shiun për të ecur përgjatë urës mbi lumin Danub në Budapest, duke ngritur parulla të tipit “Hungaria mbron Europën” dhe “Jemi me ty Viktor”.

“Ai nuk ka frikë nga fuqitë e mëdha të BE-së dhe guxon të notojë kundër rrymës”, tha një protestues 51-vjeçar.

“Ai mbron interesat e hungarezëve”, tha një tjetër.

Organizatorët e manifestimit kishin sjellë në kryeqytet edhe banorë të zonave rurale, duke përdorur një flotë autobusësh. Mbajtja e marshimit përkoi me ditën kombëtare të Hungarisë, që kujton revolucionin e vitit 1848. Ndërkohë, studentë dhe grupe të opozitës kanë përgatitur një seri anti-mitingjesh./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!