Mats Hummels është i lumtur që do të luajë sërish me Gjermaninë. Mbrojtësi i njohur nuk grumbullohej nga Joachim Low prej Botërorit Rusi 2018, por trajneri ndërroi mendje për Euro 2020 dhe riktheu në skuadër Hummels dhe Thomas Muller.
Lojtari i verdhezinjve ka dalë sot për mediat, aty ku nuk e fsheh kënaqësinë për rikthimin te Gjermania. “Pancerat” janë pjesë e grupit F. Debutimi do të ndodhë më 15 qershor kundër Francës, teksa kundërshtarët e tjerë janë Portugalia dhe Hungaria.
“Objektivi im ishte të rikthehesha në ekipin kombëtar, ishte diçka që e doja me çdo kusht. Është nder për mua të vesh fanellën e kombëtares. Po përgatitemi shumë mirë për Euro 2020. Po përmirësohemi si skuadër.
Atmosfera është e shkëlqyer, brenda dhe jashtë ekipit. Të gjithë jemi të përqendruar, kemi një dëshirë të madhe për të bërë sa më mirë në këtë kompeticion“, deklaron kapiteni i Dortmundit. /abcnews.al