Shqipëria U19 pëson një humbje të thellë në ndeshjen e dytë të eleminatoreve të Europianit. Sllovakia ia doli me shifrat 3-0 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.
Në sfidën e parë dha shpresë, por këtë herë zhgënjeu plotësisht.
Shqipërisë U19 nuk i mjaftoi aspak aspak mbështetje faktin se luante në fushën e saj, dhe u mposht thellësisht, 0-3, nga Sllovakia në eleminatoret e Europianit.
Formacioni i trajnerit Erion Bogdani, u godit që në fillim në “Niko Dovana” të Durrësit, dhe mund të thuhet që u dorëzua për 32 minuta, pasi për kaq kohë sllovanët shënuan tre golat, me autor dy herë Kmec dhe një herë Kadak.
Mëkat për ekipin dhe për trajnerin Bogdani, një nga personazhet më pozitivë të futbollit shqiptar. Ndaj Ukrainës, në ndeshjen e parë, humbja ishte vetëm 0-1, me gol të pësuar 5 minuta para fundit.
Me këtë disfatë, Shqipëria U19 është tashmë larg kualifikimit për në fazën e dytë, me 0 pikë pas dy sfidave.
Kombëtarja e të rinjve do të dalë për herë të fundit në fushë, në 16 Tetor ndaj Norvegjisë, dhe sërish në “Niko Dovana”, me shpresë që t’i bëjë një mbyllje të mirë fazës eleminatore të Europianit./abcnews.al