Humbja e Velçanit pikëlloi arbitrat, mesazh ngushëllimi nga BASHF

schedule16:00 - 19 Gusht, 2020

schedule 16:00 - 19 Gusht, 2020

Sazan Velçani u nda nga jeta, pasi humbi betejën me sëmundjen e rëndë. Një lajm që pikëlloi ambientin sportiv në Shqipëri. Bëhej fjalë për një emër të njohur të arbitrimit, që kishte mbajtur edhe stemën e FIFA-s. Kolegët e tij arbitra e kanë përjetuar më keq, sigurisht veç familjarëve dhe të afërmeve të tij.

“Me hidhërim të thellë shoqata “Bashkimi Arbitrave Shqiptarë të Futbollit” mësoi lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të ish-gjyqtarit, Sazan Velçani.  Ky është një lajm i rëndë, që ka tronditur familjarët e tij, të afërmit, miqtë dhe kolegët e tij.

Shoqata “Bashkimi i Arbitrave Shqiptarë të Futbollit” e ka ndjekur vazhdimisht situatën e tij shëndetësore qysh në momentin e shtrimit të tij në një spital në Itali ku po kurohej prej kohësh dhe ka kontribuar për t’i ardhur në ndihmë. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk ia doli dot të fitonte betejën me sëmundjen e rëndë.

Me një kontribut të madh për disa vite, Velçani ishte njëri nga përfaqësuesit më të denjë të sektorit të arbitrimit në çdo ndeshje dhe çdo fushë. Largimi prej nesh i Sazan Velçanit është një dhimbje e pangushëllueshme për familjen dhe një moment trishtimi për të gjithë komunitetin e arbitrimit.

Shoqata “Bashkimi Arbitrave Shqiptarë të Futbollit” i shpreh ngushëllimet më sinqerta familjes së tij për këtë humbje. Gjithashtu, bëjmë me dije se ceremonia e varrimit do të zhvillohet ditën e premte (datë 21 gusht) në qytetin e Patosit.

I gjendemi pranë me mendimet dhe lutjet tona familjarëve dhe miqve të tij në këtë moment të vështirë. U prehtë në paqe”, shkruhet në një komunikatë që BASHF ka shpërndarë për mediat, përmes zyrës së shtypit të Federatës Shqiptare të Futbollit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!