Humbja e Rusisë do të ishte problemi i Amerikës

schedule12:00 - 28 Shtator, 2022

schedule 12:00 - 28 Shtator, 2022

Nga Stephen M. Walt, Foreign Policy

Përktheu: Sonila Backa-abcnews.al

Në fund të fjalimit të Perikliut, i cili po përpiqej të bindte shokët e tij t’i shpallnin luftë Spartës në vitin 431 para Krishtit, ai deklaroi se kishte më shumë frikë nga gabimet e tij sesa mjetet ushtarake të armikut.

Në fakt ai paralajmëroi kundër arrogancës dhe rrezikut të skemave të reja të pushtimit me afrimin e luftës. Paralajmërimet e tij nuk u dëgjuan, megjithatë pasuesit e tij e çuan Athinën në një disfatë katastrofike.

Shekuj më vonë, Edmund Burke dha një paralajmërim të ngjashëm për bashkatdhetarët e tij britanikë, ndërsa Britania po shkonte drejt luftës me Francën revolucionare.

“Kam frikë nga fuqia jonë dhe nga ambicia jonë. Mund të themi se ne nuk do të abuzojmë me këtë fuqi të habitshme dhe të padëgjuar deri tani. Por çdo komb tjetër do të mendojë se ne do ta abuzojmë. Është e pamundur, por që, herët a vonë, kjo gjendje do të prodhojë një situatë kundër nesh, i cili mund të çojë  në rrënimin tonë,” tha ai në fjalim në 1793.

Megjithatë, parashikimi i Burke nuk u realizua pjesërisht sepse ambiciet e Britanisë mbetën të kufizuara edhe pasi Franca u mund.

I përmend këto dy profeci të zymta, sepse ekziston mundësia që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë të fitojnë në Ukrainë.

Një shtet më largpamës nga Perëndimi mund ta kishte parandaluar luftën në radhë të parë, duke i kursyer Ukrainës shkatërrimin e madh që ka pësuar nga Rusia, raporton abcnews.al.

Pavarësisht nga kjo, një kombinim i llogaritjeve të gabuara ruse dhe paaftësisë ushtarake, rezistencës së ashpër ukrainase, mbështetjes së jashtëzakonshme materiale dhe inteligjencës perëndimore dhe sanksioneve të fuqishme ndaj Moskës mund të çojnë në një fitore për Ukrainën dhe mbështetësit e saj perëndimorë.

Duke supozuar se luftimet nuk do të përshkallëzohen më tej, një mundësi që sigurisht nuk mund të përjashtohet, dhe me sukseset e Ukrainës në fushën e betejës, fuqia ruse do të zvogëlohet gjatë viteve në vijim.

Madje ekzsiton mundësia që Vladimir Putin të rrëzohet nga pushteti. Nëse Rusia do të pësojë një humbje të mëdha që do të jenë vendimtare, paralajmërimet për rënien e pashmangshme të Perëndimit do të duken në rastin më të mirë të parakohshme.

Por pastaj çfarë do të ndodhë?

Si duhet të përfitojnë Perëndimi dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara nga fitorja?

Mbi të gjitha, çfarë hapash duhen shmangur që të mos shpërdorohen frytet e fitores?

Mund të jetë ende herët për të diskutuar  këto çështje, duke pasur parasysh se fundi i luftës në Ukrainë nuk dihet. Por duhet të fillojmë të mendojmë se çfarë ndodh nëse vjen momenti i fitores.

Në fund të fundit, herën e fundit që Shtetet e Bashkuara shënuan një fitore të madhe gjeostrategjike, ato iu nënshtruan mendjemadhësisë kundër të cilit paralajmëroi Perikliu dhe e shpërdoruan mundësinë për të ndërtuar një botë më të qëndrueshme dhe paqësore.

Nëse i jepet një mundësi tjetër, SHBA-ja duhet të mësojë nga gabimet e saj dhe të bëjë një punë më të mirë këtë herë. Fitorja në Ukrainë do të forcojë pretendimet për epërsinë e demokracisë dhe do të inkurajojë përpjekjet e reja për ta përhapur atë jashtë vendit. Neokonservatorët  dhe kryqtarët liberalë ambiciozë do të lumturohen, pasi më në fund kanë arritur një sukses pas 30 vitesh dështim, raporton abcnews.al.

Duke përfituar shumë nga lufta, kompleksi ushtarako-industrial do të ketë shumë më tepër miliona për të shpenzuar duke bindur amerikanët se ata mund të jenë të sigurt vetëm duke shpenzuar më shumë për mbrojtje sesa shtatë ose tetë vendet e ardhshme së bashku.

Pavarësisht shumë dështimeve gjatë të së kaluarës, përkrahësit e hegjemonisë liberale do të përpiqen të shfajësohen, të paktën përkohësisht.

Por ku është problemi?

Si fillim, po injorohen disa nga mësimet kryesore nga vetë lufta në Ukrainë.

Mësimi  i parë është se të kërcënosh atë që një fuqi e madhe mendon se është një interes jetik është i rrezikshëm, edhe nëse qëllimet e dikujt janë fisnike ose të mira.

Kështu, ndodhi me zgjerimin e NATO-s: Një grup i ndryshëm ekspertësh të politikës së jashtme kishin paralajmëruar vazhdimisht se kjo politikë do të çonte në probleme të mëtejshme dhe asgjë që ka ndodhur që nga shkurti 2014, kur filloi kriza në Ukrainë, nuk i ka zbehur aspak paralajmërimet e tyre.

Të arrish një fitore në një luftë që mund të ishte shmangur nuk është një një argument pozitiv që ti mund ta përdorësh për të përsëritur sërish të njejtin gabim, raporton abcnews.al.

Mësimi nr. 2, rreziku i rritjes së kërcënimeve. Lufta në Ukrainë është cilësuar më së shumti si një luftë e nisur nga Rusia për të ndaluar Ukrainën të bëhet pjesë e orbitës perëndimore. Një luftë e tillë është e paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, por Putin besonte se përpjekja e udhëhequr nga SHBA-ja  për të armatosur dhe trajnuar Ukrainën  do ta bënte të pamundur për Moskën të ndalonte riorganizimin gjeopolitik të Kievit.

Ashtu siç liderët amerikanë e ekzagjeruan rrezikun gjatë Luftës së Vietnamit dhe e nxitën  qëllimisht kërcënimin e paraqitur nga Sadam Husein në vitin 2003, Putin ndoshta e mbivlerësoi rrezikun aktual që “humbja” e Ukrainës do të përbente për Rusinë.

Udhëheqësit rusë e përshkruan në mënyrë të përsëritur këtë rezultat si një kërcënim ekzistencial, domethënë një luftë që ia vlente por frika e tyre se NATO mund të ndërhynte  ose se “revolucionet me ngjyra” mund të përhapeshin përfundimisht në Rusi, ishte ndoshta e ekzagjeruar.

Nëse po, atëherë ky gjykim i gabuar e detyroi Moskën të ndërmerrte një vendim që do ti kushtonte shumë.

Mendimi im është se kërcënimet  mund t’i fusin shtetet në po aq probleme sa edhe nënvlerësimi i tyre, kjo është arsyeja pse gjermani Otto von Bismarck paralajmëroi se lufta duke përdorur si pretekst parandalimin  ishte si “të bësh vetëvrasje nga frika e vdekjes”. Politikëbërësit e ardhshëm amerikanë duhet ta kenë parasysh këtë.

Mësimi nr. 3 (të cilin Putini duket se e ka injoruar) është i thjeshtë: Nëse pushton një vend të huaj, mos prit një mirëseardhje miqësore. Përkundrazi, pushtuesit e huaj zakonisht bashkojnë shoqëritë e ndara dhe frymëzojnë rezistencë të ashpër dhe shumë efektive.

Ukraina është një rast i tillë, natyrisht, dhe lufta gjithashtu na kujton se ju keni edhe më pak gjasa të jeni të mirëpritur kur forcat tuaja të armatosura kryejnë krime lufte ose mizori të tjera.

Mësimi nr. 4 është se agresioni i drejtpërdrejtë alarmon vendet e tjera dhe i shtyn ata të ndërmarrin hapa për ta kundërshtuar atë.

Nëse presidenti rus besonte se përgjigja relativisht e butë ndaj pushtimit të Krimesë në 2014 do të thoshte se fuqitë e jashtme do të bënin pak për të kundërshtuar pushtimin e tij në 2022, ai bëri të njëjtin gabim që bëri Adolf Hitleri kur pushtoi pjesën e poshtme të Çekosllovakisë në mars 1939 dhe më pasi vendosi të pushtonte Poloninë disa muaj më vonë.

Të marra së bashku, këto katër mësime sugjerojnë se një fitore në Ukrainë nuk do t’i vendosë Shtetet e Bashkuara në një pozitë për të riformuar rendin global sipas dëshirës së tyre, raporton abcnews.al.

Ky synim ishte përtej arritjes në kulmin e  tij dhe kushtet e përgjithshme janë më pak të favorshme tani duke pasur parasysh ngritjen e Kinës, brishtësinë ekonomike të Europës dhe qëndrimin e shumë vendeve në botën në zhvillim ndaj Shteteve të Bashkuara.

Nëse politikëbërësit amerikanë e shohin fitoren në Ukrainë si një mundësi të re për një botë liberale, ata janë të destinuar të dështojnë edhe një herë.

Fitorja në Ukrainë, duke supozuar se do të ndodhë në të vërtetë nuk do të jetë një ngjarje aq e rëndësishme sa rënia e ish-perandorisë sovjetike.

Nuk do të sjellë një moment tjetër unipolar, sepse Kina është shumë më e fuqishme se në vitet 1990 dhe lufta në Ukrainë nuk e ka ndryshuar këtë fakt. Një fitore e Ukrainës nuk ka të ngjarë t’i japë fund polarizimit politik jofunksional brenda Shteteve të Bashkuara, nëse sigurisht ka ndonjë gjë të tillë.

Në të vërtetë, nëse Ukraina dhe Perëndimi fitojnë, ata do të përballen me të njëjtën listë të detyrave të politikës së jashtme që ekzistonte përpara se trupat ruse të kalonin kufirin ukrainas: 1) shmangia e ndryshimeve katastrofike klimatike dhe përballja me pasojat e rënda që tashmë janë të dukshme; 2) balancimi dhe angazhimi i Kinës;  3) administrimi i një ekonomie globale dhe 4) përgatitja e botës për pandeminë e ardhshme.

Arritja e këtyre qëllimeve jetike do të kërkojë përcaktimin e prioriteteve të qarta.

Askush nuk do të jetë në gjendje t’i ndalojë skifterët e Ukrainës që të fitojnë, por është thelbësore t’i pengojmë ata që të mos udhëheqin Perëndimin për të mos përsëritur gabimet e së kaluarës.

/abcnews.al