Humbi votën, profesori amerikan që jeton në Tiranë: Do votoja për Donald Trump

schedule19:13 - 4 Nëntor, 2020

schedule 19:13 - 4 Nëntor, 2020

Nga Juxhin Mustafaraj

Richard Zellers është një mësues nga Pensilvania që prej gushtit të këtij viti jeton në Shqipëri. Garën që po zhvillohet për Shtëpinë e Bardhë po e ndjek me vëmendje, kjo edhe për shkak të interesit të shtuar që në vendin tonë ka për procesin zgjedhor që po mbahet në Shtetet e Bashkuara.

“Jetoj në Shqipëri që prej muajit gusht, pra prej pak muajsh. Jam më shumë se i intersuar për politikën. Ka apo nuk ka zgjedhje unë e ndjek politikën gjatë gjithë vitit. Në nivel kombëtar dhe shtetëror. Por më tërheq dhe politika në vende të tjera si për shembull në Britaninë e Madhe. I ndjek përditë dhe përpiqem të kuptoj se cfarë ndodh”, u shpreh Zellers.

Shteti i Pensilvanisë duket se do të jetë përcaktues për përzgjedhjen e Presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara.

“Pensilvania aktualisht rezulton të jetë një shtet shumë i rëndësishëm për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Jam lindur dhe rritur atje dhe kam shumë miq dhe familjarë. Shumë prej tyre janë republikanë, shumë demokratë por dhe të pavarur. Dhe do të jetë shumë interesante të shohim se cfarë do të ndodhë në Pensilvani”. tha ai.

Për ironi edhe përse ka dashur të votoj nuk ka pasur mundësi të shpreh vullnetin e tij për shkak të mungesës së një adrese.

“Nuk kam mundur të votoj, pasi unë nuk jetoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nuk kam një adresë të përhershme. E për këtë arsye nuk rezultoj i regjistruar si votues. Kam udhëtuar për të ushtruar profesionin tim si mësues dhe nuk kam jetuar në territorin amerikan për shumë vite”.

Por nëse do të ishte përballë Biden dhe Trump cila do të ishte zgjedhja e tij?

E kam kokën pak rrëmujë në këtë moment. Dikur e konsideroja veten një demokrat për shumë vjet. Herën e fundit që kam votuar, votova për Klinton. Që nga 2015 kam ndryshuar shumë. Dua të them që aktualisht jam më shumë kundër Biden se sa kundër Trump; dhe them se mbështes presidentin. Nëse do të votoja, si një amerikan, do të zgjidhja Trump”.

Ballkani dhe Shqipëria janë mësuar të mbajnë procese të zgjatura në kohë për nxjerrjen e rezultatit, por çfarë do të thotë kjo për një amerikan?

“Është interesante dhe zhgënjyese në disa pika, pasi si pjesa më e madhe e amerikanëve jam mësuar të kem një rezultat përfundimtar brenda natës, apo të paktën të nesërmen. Një gjë e tillë mbaj mend të ketë ndodhur në vitin 2000 mes Bush dhe Al Gore, në Florida. Gara duket shumë e ngushtë, unë jam nga Pensilvania dhe atje për momentin Tramp është në avantazh me disa qindra mijëra vota”

Por çfarë presin amerikanët pas zgjedhjeve së Presidentit të tyre?

“Ne e shohim që tani se ka protesta, dhe reagime , biznese që mbrohen nga trazirat e mundshme. Mendoj se Pensilvania ka thirrur rojet kombëtare në mbështetje të policisë, është njësoj si ushtria e një shteti. Shpresoj që gjërat të mos vijnë deri në këtë pikë, por e kam shumë të vështirë të parashikoj se cfarë mund të ndodhë”./mv.abcnews.al