Humbi jetën nga koronavirusi, detaje të reja: 43-vjeçari nga Kavaja kishte në pronësi një hotel

schedule09:45 - 23 Mars, 2020

schedule 09:45 - 23 Mars, 2020

Viktima e 4-t nga Koronavirusi në Shqipëri është një 43-vjeçar nga Kavaja. Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë 43-vjeçari përveç obezitetit nuk kishte probleme të tjera shëndetësore.

Gjendja shëndetësore e 43-vjeçarit është rënduar mbrëmjen e djeshme ku dhe është vendosur në frymëmarrje të drejtuar ndërkohë që mëngjesin e sotëm ka humbur betejën për jetën.

Që në momentin që I.M është dërguar në spitalin infektiv në Tiranë, të gjithë familjarët dhe miqtë e tij që ka kontaktuar janë vetkarantinuar. Mësohet se 43-vjeçari ka takuar shumë pak persona gjatë qëndrimit të tij në Kavajë.

Viktima nga Kavaja ishte kthyer nga Italia përpara 15 ditësh. Ai udhëtonte shpesh në vendin fqinj.

Siç raporton Leonidha Musaj për ABC News, 43-vjeçari ka në pronësi dhe një hotel i cili funksionon gjatë verës.

Ndërkohë specialistët e shëndetësisë kanë nisur gjurmimin për personat e kontaktit të cilët kanë arritur të gjejnë një pjesë të mirë të tyre.

Specialistët e shëndetit kanë marrë kampionët nga këta persona të cilët i janë nënshtruar testit dhe fatmirësisht rezultatet e para kanë rezultuar negative.

Gjithsesi ata duhet të qëndrojnë të vetkarantinuar për 14 ditë në banesat e tyre.

Do të jetë testi i dytë që do të tregojë në mënyrë të sigurt nëse këta persona kontakti të 43-vjeçarit janë infektuar nga koronavirusi apo jo. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!