Humbi jetën në zjarr për të shpëtuar kolegët, Meta vlerëson me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Arjan Salën

schedule16:31 - 13 Prill, 2021

schedule 16:31 - 13 Prill, 2021

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka vlerësuar  me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” Arjan Salën (pas vdekjes), pasi u vetësakrifikua për të shpëtuar jetët e punonjësve dhe kolegëve nga zjarri në “Casa Italia”.

Kreu i Shtetit i akordoi Arjan Salës dekoratën e lartë me motivacionin:“Në shenjë vlerësimi e respekti të thellë për heroizmin e pashoq në përmbushjen e detyrës për të shpëtuar jetën e shumë qytetarëve. Për sakrificën dhe vetëflijimin e tij sublim, me të cilat ai hyri në zemrat tona, si shembull i heroizmit dhe humanizmit”.

Në fjalën e tij me këtë rast, Meta duke iu drejtuar familjarëve dhe miqve të të ndjerit Arjan Sala, të pranishëm në ceremoninë solemne, u shpreh se ndan me ta dhimbjen për humbjen e parakohshme të të riut.

FJALA E PRESIDENTIT

“Të dashur familjarë dhe miq të heroit tonë Arjan Sala, të nderuar pjesëmarrës, zonja dhe zotërinj. Kam detyrimin të organizoj sot këtë ceremoni solemne për t’i akorduar titullin e lartë ‘Dekorata e Artë e Shqiponjës’, Arjan Salës, njeriut tuaj më të dashur, që i tregoi mbarë Shqipërisë shembullin e shkëlqyer të përgjegjshmërisë dhe ndjenjës më të lartë qytetare e humane ndaj detyrës, ndaj kolegëve, por mbi të gjitha të dashurisë për njerëzit.

Ndajmë bashkë me ju familjarët e tij dhimbjen për humbjen e tij të parakohshme, ashtu sikurse jemi krenarë për veprën e tij sublime.

Njëkohësisht jemi të bindur se përmes këtij akti, pavarësisht pasojave tragjike me humbjen e pazëvendësueshme për familjen e tij, Arjani na ka dhënë një shembull të gjithëve, se si duhet të sakrifikojmë dhe se si duhet të tregojmë dashurinë për njëri-tjetrin. Vepra heroike e Arjanit imponon respektin dhe mirënjohjen e përjetshme të gjithë shqiptarëve,  jo vetëm të atyre që ai u shpëtoi jetën.

Në një kohë kur shoqëria jonë po vuan plagën e rëndë të braktisjes së vendit, sidomos nga të rinjtë, Arjani tregoi se ky vend ka njerëz të mëdhenj, të cilët kanë dhe familje të mrekullueshme, që i kanë edukuar fëmijët e tyre siç kanë edukuar prindërit Arjanin, me dashurinë e pafund për atdheun, për njerëzit dhe me ndjenjën e lartë të detyrës.

Ndaj dhe natyrshëm, mijëra mesazhe solidariteti, dedikime, e ngushëllime nga njerëz të panjohur janë shprehur për të, si një reagim dhe një dhimbje e pamasë njerëzore.

Kemi të gjithë dhimbje dhe trishtim për këtë humbje që nuk duhet të kishte ndodhur. Arjani sakrifikoi jetën e tij në moshën më të bukur, për të shpëtuar kolegët dhe njerëzit në luftë me flakët.  Ky është hero i ditëve tona të vështira, është një frymëzim për të ardhmen dhe një mësim për të gjithë egoistët që nuk shikojnë përtej interesave të tyre.

Sot ne nderojmë dhe kujtojmë Arjanin, si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, si shembull i mirësisë dhe  vlerave më të larta humane dhe njerëzore.

Mbi vetëflijimin e tij, duhet të punojmë që të ndërtojmë, një shtet më të fortë, një shtet më njerëzor, një shtet më të dhimbsur, një shtet më social dhe një shtet më reagues, sidomos në momentet e fatkeqësive. Një shtet që jo vetëm nuk i braktis njerëzit në nevojë dhe momentet më të vështira, por që është i përgatitur për t’i përballuar këto momente.

Ky shembull dhe kjo humbje e madhe e njeriut tuaj më të dashur, por dhe e njeriut tonë të paharruar, Arjan Salës, të këtij shqiptari të madh, meriton të jetë gjithmonë i kujtuar si bashkëkombës i ‘Nënë Terezës’.

Sepse ka bërë një akt të jashtëzakonshëm, kur mund të gjente çdo lloj justifikimi.

Jemi këtu edhe për Aronin djalin 4-vjeçar dhe do t’ia themi gjithmonë që të jetë krenar që është Aron Sala, sepse emrin e babit të tij tani e dinë gjithë dhe do ta kujtojnë gjithmonë të gjithë shqiptarët.

Ne babin nuk ia kthejmë dot Aronit, por detyrimi ndaj atij personalisht, ndaj bashkëshortes, familjes Sala, e kemi të gjithë. I dashur Aron, ti nuk ke për t’u ndjerë kurrë jetim në jetë sepse të gjithë do të kujdesemi në çdo moment për ty, duke nisur nga unë i pari.

Por të jesh krenar se falë babait tënd Shqipëria sot mund të kishte disa dhjetëra jetimë të tjerë. T’i edukojmë fëmijët me dashurinë për njerëzit, me dashurinë për familjen, me dashurinë për atdheun, me dashurinë për Shqipërinë, në mënyrë që vendi ynë të ketë një të ardhme të begatë, ashtu siç e meritojnë të gjithë shqiptarët.

Në mënyrë që Shqipëria të jetë edhe më njerëzore dhe të jetë gjithmonë një vend që ka diell për të gjithë shqiptarët. I përjetshëm kujtimi i këtij heroi, i cili do të mbahet mend gjithmonë si një hero i vërtetë, si një hero i gjallë me shembullin e tij, vet mohimin e tij dhe mësimin, që na ka dhënë të gjithëve”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!