Ditën e sotme, në qarkun e Durrësit ka rinisur mësimi pas tërmetit të 26 nëntorit.
Por ka pasur një nxënëse që mungonte, dhe ajo ishte Esiela Karanxha, 8-vjeçarja që humbi jetën në krahët e të ëmës.
Mësuesja e saj, i ka dedikuar të ndjerës një shkrim prekës në rrjetin e saj sociale. Në postimin e saj mësuesja Eda Katroshi ka përshkruar mungesën e nxënëses së saj.
“Ah kjo zemër dhe këta sy nuk guxuan të kthejnë shikimin e mjegulluar nga lotët drejt bankës tënde, e dashura Esielë. Çfarë t’u thoja syve të lotuar të Jusrës që nuk e përmbante dot ngashërimin. Nuk duroi që ti u bëre ëngjëll me krahë për të na parë nga lart. Shokët dhe shokët e patën të vështirë mos të të përmendnin. Do të të kujtojmë gjithmonë!”,shkruan mësuesja e Esielës.
Esiela Karanxha humbi jetën në krahët e nënës së saj Diena Meçej nën rrënojat e banesës së tyre në mëngjesin e 26 nëntorit. 8-vjeçarja nuk ia doli që të dilte e gjallë nga rrënojat, njësoj si gjyshja e saj Roza. Ndërsa nëna e saj, Diena doli me shenja jete por ndërroi jetë në spital.
Disa vite më parë, Esiela kishte humbur dhe babanë e saj, piktorin Dorian Karanxha, si pasojë e një ataku kardiak./abcnews.al