Humbi betejën me COVID 19,  shkolla mesazh prekës për vdekjen e këngëtares fierake

schedule09:23 - 22 Gusht, 2020

schedule 09:23 - 22 Gusht, 2020

Këngëtarja fierake e cila prej katër javësh vuante nga Covid 19 ka humbur jetën një ditë më parë.

52- vjeçarja Rainita Pupi,  ishte edhe nëndrejtoreshë dhe mësuese muzike në shkollën 9 vjeçare “Pinellopi Piro” në Fier. Mëngjesin e kësaj të shtune stafi i shkollës ka publikuar një mesazh ngushëllimi në nder të kujtimit të saj.

Në mesazhin e saj drejtuesit shkruajnë se shkollës së tyre tashmë u është prerë një krah i fortë dhe energjik, i tillë që vështirë të zëvendësohet.

LEXO EDHE: 4 javë në luftë për jetën, humb betejën me Covid-19 këngëtarja fierake

Postimi i plotë:

I pabesueshëm, por fatkeqësisht i vërtetë, lajmi i zi që morëm mbrëmë. Kolegia jonë, zëvendësdrejtore Rainita, humbi jetën në përballje me virusin kobzi, që po endet këtyre kohëve nëpër Botë. Me Rainitën, nga ky virus, shënuam të gjithë nga një humbje tonën. Të pazëvendësueshme!

Shkollës sonë iu pre një krah i fortë dhe energjik, i tillë që vështirë të zëvendësohet. Qytetit i iku një artiste energjike, e përkushtuar dhe gjithë pozitivitet, në kulmin e krijimtarisë dhe veprimtarisë së saj. Familjes i iku gruaja, nëna dhe gjyshja model, që secilin prej këtyre roleve familjare, e merrte me natyrshmërinë më të madhe. Me të njëjtën natyrshmëri sipërmerrte edhe rolet shoqërore dhe detyrimet si qytetare e angazhuar.

Humbja e Rainitës është e disafishtë. I pamundur është misioni, që dhembja të përkthehet në fjalë që ngushëllojnë familjarët dhe miqtë e saj më të afërt, e megjithatë, në emër të kolektivit të shkollës i përcjellim ngushëllimet më të ndjera familjes.

Në mënyrën më të pazakontë, iku një njeri jo i zakontë. Një njeri shumë i veçantë, për ne që e njohëm. I paharruar kujtimi yt, Rainita, mike dhe kolege e dashur.

“Pinellopi Pirro” do të të kujtojë e do të ta çmojë gjatë pasionin, energjinë dhe përkushtimin që solle ndër ne, kolegë, prindër e nxënës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!