Mirela Dvorani ka dëshmuar sot në procesin e zhvilluar ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu mbi shpërthimin e depos së armëve në Gërdec. Ajo ka treguar se në atë ngjarje ka humbur bashkëshortin pas shpërthimit të ndodhur në Gërdec, duke thënë se ishte i punësuar si ekonomist atje.
Gjithashtu ajo ka rrëfyer se ai kishte shprehur shqetësim për kushtet dhe sigurinë në punë, pasi thekson se punohej në kushte primitive.
“Kam humbur bashkëshortin tim Endri Dvorani. Ai ka qenë i punësuar si ekonomist atje më herët ka qenë ushtarak, por ishte i liruar nga ajo detyrë. Në Gërdec ka punuar nga Shtator 2006- 15 Mars 2008. Ai ishte përgjegjës i disa grave dhe maste punën e tyre. Aty filloi punë se ishte në zanatin e vet. Ai ishte i merakosur për kushtet e punës, për sigurinë teknike pasi aty punohej në kushte primitive këtë shqetësim ma kishte shprehur vet”, ka treguar ajo.
Gjithashtu një tjetër person që ka dëshmuar në këtë proces, ishte edhe Veiz Muça. Ai ka treguar se kur ndodhu ngjarja ishte 200 m larg, ndërsa tregon se zjarri ka filluar aty ku bëhej demontimi.
“Kam mbaruar shkollën e mesme ushtarake në Zallherr. Ditën e ngjarjes dola dhe unë porosita rojën të mos fuste njëri brenda. Ngjarja ndodhi kur sapo isha larguar 200 metra më poshtë. Zjarri ka filluar aty ku bëhej demontimi. Baruti transportohej me karroca. Kur prisheshin karrocat i riparonte ai Delu e kishte shtëpinë aty afër. Sipas asaj që më kanë tregu punëtorët zjarri ka filluar tek një karrocë me barut. Karroca i ishte prish djalit të atij deliut. Ai e kishte dërguar në shtëpi dhe e kishte ngjit. Unë atë ditë si kam dhënë leje askujt. Deliu i thoshte drejtorit Dritanit që i saldonte ai karrocat nga dy tre në ditë që dëmtoheshin. Dua të them diçka “babëzia e ushtrisë për të sjellë sa më shumë municion dhe babëzia e punëtorëve për të bërë sa më shumë punë për të arrit normën i shkelnin rregullat në punë. Të më thuash sot që të shkosh të bësh atë punë sikur 1 milion në ditë të më japin nuk shkoj më”, ka thënë Veiz Muça./abcnews.al/