Si Bjellorusia ashtu edhe Polonia po kryejnë “shkelje të rënda të të drejtave të njeriut” me emigrantët dhe azilkërkuesit në kufijtë e tyre, sipas një raporti të publikuar nga organizata joqeveritare Human Rights Watch.
Sipas raportit, si autoritetet bjelloruse ashtu edhe ato polake “kanë detyrimin për të parandaluar vdekjet, duke qenë humanë për njerëzit që ndodhen në zonat kufitare”. Hetuesit e HRW intervistuan 19 emigrantë dhe azilkërkues, thuhet në raport, duke zbuluar se disa prej tyre janë “përballuar me dhunë nga rojet kufitare polake”.
Human Rights Watch thekson se këto deportime “shkelin të drejtën për azil në ligjin europian” dhe i bën thirrje Bashkimit Europian që “të solidarizohet me viktimat në kufi nga të dyja palët, të cilat po vuajnë dhe po vdesin”.
Në Bjellorusi, tha ai, “dhuna, trajtimi ose ndëshkimi çnjerëzor dhe degradues nga rojet kufitare bjelloruse është një dukuri e përditshme”. Në “disa raste” emigrantët janë “torturuar” në kundërshtim me “detyrimet ligjore ndërkombëtare të Bjellorusisë”.
“Ndërsa Bjellorusia e ka krijuar këtë situatë pa marrë parasysh pasojat njerëzore, Polonia ka një pjesë të përgjegjësisë për vuajtjet në zonën kufitare,” tha Lydia Gol, një studiuese me bazë në HRW në Europë dhe Azinë Qendrore.
Në raportin e organizatës joqeveritare thuhet se tre emigrantë akuzojnë rojën kufitare polake për ndarjen e familjeve, midis prindërve dhe fëmijëve, duke i shtruar në spital disa që kishin nevojë për ndihmë të menjëhershme, por duke i dërguar të tjerët në Bjellorusi, raporton abcnews.al
Gol i ka kërkuar Minskut dhe Varshavës që ti japin fund dëbimeve dhe të lejojnë vëzhguesit e pavarur, veçanërisht gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, të kenë akses në zonat kufitare ku kufizimet janë ende në fuqi.
Sipas Human Rights, të paktën 13 persona kanë vdekur në të dy anët e kufirit që nga fillimi i krizës në verë. BE-ja dhe SHBA-ja akuzojnë Bjellorusinë për orkestrimin e krizës, duke e quajtur atë një “sulm hibrid” në hakmarrje për sanksionet europiane kundër qeverisë së Presidentit Alexander Lukashenko. Gjatë tre dekadave të tij në pushtet, kreu i shtetit ka goditur opozitën dhe median e pavarur.
Në një intervistë për BBC, Lukashenko tha se rojet kufitare bjelloruse “mund” të kenë ndihmuar emigrantët të kalojnë kufirin, por mohoi që qeveria e tij i ka ndihmuar të shkojnë në Bjellorusi. Ai i kërkoi BE-së t’i mirëpresë ata.
Sipas autoriteteve bjelloruse, aktualisht në vend ndodhen rreth 7000 emigrantë dhe refugjatë.
/abcnews.al