Hulumtimi: Puna katërditore përmirëson shëndetin mendor dhe fizik të punonjësve

schedule10:35 - 1 Gusht, 2023

schedule 10:35 - 1 Gusht, 2023

Efektet e dobishme në shëndetin dhe performancën e punonjësve nga puna 4 ditë në javë janë konfirmuar tashmë nga hulumtimi më i fundit i organizatës jofitimprurëse, e cila mbron këtë filozofi, 4 Day Week Global.

Një vit më parë, në 41 biznese në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada u lançua një program katër-ditor, 8-orësh, i cili zgjati 6 muaj.

Si pjesë e eksperimentit, agjencia po monitoron shëndetin, mirëqenien dhe rezultatet e punës kur njerëzit punojnë më pak orë. Një nga gjetjet është se, mesatarisht, orët u reduktuan nga 38 në fillim në më pak se 33, një hap i madh, siç vëren Bloomberg, në drejtim të qëllimit prej 32-orësh.

Një javë 32-orëshe korrespondon me 4 ditë punë 8-orëshe në baza ditore. Sipas atyre që kryejnë hulumtimin, kjo ulje ka të bëjë me faktin se bizneset kanë gjetur mënyra për t’u bërë më efikase, pa i bërë njerëzit të punojnë më intensivisht.

Kjo u arrit duke organizuar më pak takime, duke përmirësuar komunikimin dhe duke theksuar kryerjen e punës së fokusuar pa shpërqendrime. Për më tepër, studiuesit arritën në përfundimin se përfitimet e një punë katër-ditore mund të forcohen me kalimin e kohës dhe jo anasjelltas.

“Dëgjoj shpesh të thuhet se rezultatet e eksperimentit tonë gjashtëmujor nuk mund të zgjasin, sepse inovacioni zakonisht mbaron. Megjithatë, ka kaluar një vit dhe avantazhet po forcohen, gjë që tregon se është diçka e qëndrueshme”, thekson drejtori  i 4 Day Week Global në raportin e tij lidhur me këtë. Pjesëmarrësit në programin pilot raportojnë një përmirësim të shëndetit të tyre fizik dhe mendor, i cili nuk ka ndryshuar as pas përfundimit të tij.

Dhe ekuilibri midis jetës profesionale dhe asaj personale, një kërkesë e madhe e punëtorëve perëndimorë, vazhdoi të përmirësohej.

Kur punonjësit u pyetën se sa do të donin të paguheshin për një punë pesëditore, gjysma thanë se kërkonin një rritje të madhe rroge, ndërsa një në dhjetë thanë se asnjë shumë nuk do të mjaftonte.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!