Ashtu si njerëzit, zogjtë kanë më pak miq ndërsa plaken, por arsyet për këtë nuk janë plotësisht të qarta.
Hulumtimet e reja sugjerojnë se ata thjesht mund të mos kenë nevojë për grupe më të mëdha.
Njerëzit shpesh supozohet se kanë më pak miq me kalimin e moshës, sepse bëhen më selektivë se me kë kalojnë kohë dhe kanë më pak bashkëmoshatarë rreth tyre. Për shkak të numrit më të vogël të miqve të mundshëm të së njëjtës moshë, kjo mund të jetë një nga arsyet e vetmisë tek të moshuarit. Megjithatë, është e vështirë të veçohen të gjitha shkaqet e mundshme tek njerëzit, prandaj studiuesit janë kthyer në studimet e kafshëve.
Një ekip nga Imperial College London studioi një popullatë të izoluar harabelash në ishullin Lundy, që ndodhet në kanalin e Bristol. Ata gjurmuan moshën dhe rrjetet sociale të të gjithë zogjve dhe zbuluan se harabela më të vjetër kishin vërtet më pak miq, të ngjashëm me njerëzit. Arsyeja mund të jetë mungesa e presionit evolucionar. Gjegjësisht, ndërsa miqësitë i ndihmojnë zogjtë e rinj të mbijetojnë dhe të riprodhohen më me sukses, ky nuk është rasti për zogjtë e moshuar.
Hulumtuesja kryesore, Dr Julia Schroeder nga Departamenti i Shkencave Biologjike, tha: “Ky mekanizëm evolucionar mund të funksionojë edhe te njerëzit. Është e mundur që njerëzit e moshuar janë më pak të prirur për të krijuar miqësi të reja ndërsa plaken. Me më pak bashkëmoshatarë, kjo mund të të jetë një nga faktorët që kontribuojnë në vetminë tek të moshuarit”.
Hulumtimi u botua në revistën “Philosophical Transactions of the Royal Society B”, në një numër të veçantë kushtuar studimit të moshës dhe shoqërisë përmes popullatave natyrore./abcnews.al