Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, në seancën e jashtëzakonshme ku pritet votimi i Qeverisë Kurti 2, kritikoi kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Hoxhaj tha se PDK nuk do ta votojë sot formimin e qeverisë, duke kundërshtuar përmbajtjen dhe qasjen e kësaj të fundit. Ai tha se e ka njohur Kurtin si person me vetëdije politike e jo si njeri, por që sot e pa të kundërtën te ai.
Hoxhaj komentoi edhe koalicionin e Lëvizjes Vetëvendosje me Vjosa Osmanin, dhe tha se ky koalicion është më shumë për karrige.
Lexo edhe: Abdixhiku këshilla për Kurtin: Duhet të sillesh me dinjitet
“Koalicioni me zonjën Osmani është më shumë koalicion për karrike, dhe kjo ka qenë një fjalë që ju më shumë e keni përdorur në të kaluarën për shumë koalicione që janë bërë në vend. Ne do të bëjmë një opozitë, do të jemi zëri i qytetarëve. Por arsyeja e fundit që dua ta ngris është se pse kjo urgjencë e një seance të tillë pas konstituimit të Kuvendit dhe pse sot nuk keni vendosur ta zgjidhni fillimisht presidentin”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka deklaruar se nga Kurti sot nuk dëgjoi asgjë për mos vazhdimin e dialogut derisa Serbia të kërkoj falje dhe nuk dëgjoi asgjë për Asociacionin si marrëveshjen e Washingtonit.
“Ne jemi në një seancë në mars të vitit 2021, por duhet ta shtrojmë pyetjen se edhe në shkurt të vitit 2020 e kemi pasur kryeministrin Kurti po ashtu kandidat për kryeministër dhe është votuar si kryeministër. Dhe ajo çfarë ka ndodhur gjatë kësaj kohe është se i kemi pasur dy modele të qeverisjeve, atë Kurti dhe Hoti, që kanë qenë qeveri të papërgjegjshme, të paafta për të adresuar sfidat e brendshme dhe ato të jashtme”, ka shtuar ai.