Vllaznia arriti të fitojë sot me shifrat minimale 0-1 ndaj Apolonisë dhe të ruajë ecurinë e mirë e kreun e renditjes. Vendimtar në këtë ishte padyshim Ardit Hoxhaj, që me golin e tij me kokë i dhuroi triumfin skuadrës së tij.
Hoxhaj pas ndeshjes u prononcua për Supersport dhe foli për gjendjen e tij dhe mënyrën sesi trajneri Brdariç e ka vendosur në fushën e lojës.
“Në fazën përgatitore kalova një dëmtim dhe u riktheva në momentin e fillimit të kampionatit. Trajneri më tha të punoj fort sepse do vijë mundësia dhe më pas erdhi dhe kam punuar fort dhe e kam ruajtur vendin.
Trajneri na e ka dhënë mundësinë të gjithëve dhe nuk ka hatërmbetje. Para katër vitesh kam qenë në krye të klasifikimit me Skënderbeun. Në Shkodër e përjetojnë shumë futbollin dhe është ambient harmonik.
Unë jam mësuar në luaj në krah dhe të futem një për një me kundërshtarin, tani më duhet të luaj më shumë me shpinë dhe të vendosem mirë, nuk kam shumë duele dhe sprinte, thjesht të vendosem mirë në zonë.
Te Vllaznia më ka bërë përshtypje organizimi dhe loja sulmuese. Luajmë me shumë presing lart që në fillim dhe e sulmojmë shumë kundërshtarin. Kjo është diçka ndryshe në futbollin tonë sepse në përgjithësi skuadrat vendosen mirë mbrapa dhe shohin çfarë del në sulm”, u shpreh Hoxhaj. /abcnews.al