Mbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha, ka folur në një lidhje direkte me emisionin Fan Zone në Supersport, aty ku tregoi situatën që po kalon, karrierën e tij deri më tani dhe tragjeditë që kanë ndodhur muajt e fundit, fillimisht me tërmetet në Shqipëri e më pas me pandeminë Koronavirus.
SITUATA – “Jemi në një situatë shumë të vështirë. Rreziku i madh ka kaluar, duhet të nisim stërvitjen që të marrim veten, pasi u bë shumë kohë jashtë fushave. Mund të punojmë edhe në grupe të ndara. Vajza më ka ndihmuar shumë”.
TRAGJEDITË – “Ka qenë një sezon i vështirë. Kaluam tërmetin, që ishte më i vështirë se ky dhe shpresoj që të mos ketë gjëra të tjera më vonë. Tërmeti ishte një tmerr i vërtetë, virusi nuk ka krahasim me atë situatë, kemi ngrënë dy goditje. Shpresoj që të kthehemi sa më shpejt në fushën e lojës”.
DËMTIMI – “E kam nisur mirë karrierën, por një dëmtim që pësova në moshën 18-vjeçare më ndërpreu gjithçka. Shpresoj që në të ardhmen të kaloj jashtë, kurrë nuk është vonë”.
OBJEKTIVAT – “Shanset për Europë janë aty, por kemi bërë dy hapa të gabuar, që nuk na lejoheshin, ndaj Luftëtarit dhe Flamurtarit. Do dëshiroja ta merrja Kupën me Teutën këtë vit, pasi kampionati më duket shumë i vështirë”, u shpreh Hoxha./abcnews.al