Hoxha: Kishim besim ndaj Kukësit, goli bëhet më i rëndësishmi me fitoren e Kupës

schedule09:36 - 17 Korrik, 2020

schedule 09:36 - 17 Korrik, 2020

Ishte ai njeriu që vulosi fatet e gjysmëfinaleve kundër Kukësit: Rustem Hoxha, mbrojtësi i Teutës, shënoi golin e dytë për “Djemtë e Detit” në atë fitore 2-1 kundër verilindorëve, gol që i dha biletën e finales djemve të Edi Martinit.

Në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë, që do të luhet me datë 2 gusht, Teuta do të ketë përballë Tiranën, kryesuesit e Superiores. Vetë Rustem Hoxha, në një intervistë për ABC News, pranoi se kjo finale do të jetë e vështirë, si dhe tregoi se goli ndaj Kukësit, mund të bëhet më i rëndësishmi në karrierë nëse Teuta ngre trofeun e Kupës së Shqipërisë, që është shumë i dëshiruar këtë sezon.

– Arritët në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke kaluar një rival shumë të vështirë. Çfarë menduat kur Kukësi ishte në avantazh?

Falë Zotit, ia arritëm qëllimit të kalonim në finale. Me shumë mund dhe me shumë sakrificë, kundër një ekipi shumë të mirë dhe që na e bëri shumë të vështirë arritjen në finale. Unë, si dhe ekipi, për asnjë moment nuk e ulëm besimin. Në fund fare, u shpërblye besimi jonë dhe arritëm të kalonim në finale.

 

Festa pas golit të Rustem Hoxhës

– Pavarësisht se jeni mbrojtës, keni shënuar disa gola gjatë karrierës tuaj. A mund të themi se goli i djeshëm është ai më i rëndësishmi?

Është një ndër golat më të rëndësishëm në karrierën time, por mund të bëhet goli më i rëndësishëm në karrierë nëse i shkojmë deri në fund Kupës së Shqipërisë dhe e fitojmë këtë trofe.

– Në finale, përballë Tirana. E keni mposhtur në ndeshjen e fundit në kampionat, sa besim ju jep ajo fitore për fitimin e Kupës së Shqipërisë?

Tirana është ekipi që kryeson kampionatin dhe mendoj se është një finale shumë e vështirë. Ne kemi besim, sepse me ekipet e forta kemi treguar se luajmë dhe kemi një bilanc pozitiv. Shkojmë me besim të plotë dhe duam ta arrijmë këtë objektiv të shumëdëshiruar, si nga ne si skuadër, ashtu dhe nga tifozët, edhe me rastin e 100-vjetorit.

 

– Në mbrojtje krah jush, luan edhe Arapi. Sa ua bën më të lehtë kjo gjë, që të jepni edhe më shumë?

Të them të drejtën, me Arapin është sikur kam vite që luaj. Që në ndeshjen e parë me Ventspils, jemi marrë vesh shumë mirë. Tani, ëshgtë një ndihmë e madhe jo vetëm për mua, por për të gjithë skuadrën, për eksperiencën dhe cilësinë që ka. Mbi të gjitha, është profesionist dhe një shembull për të gjithë në ekip. /Veronik Istrefaj – abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!