Nga fitorja në fitore, siç thuhej dikur. Arbër Hoxha, me shkëlqim të plotë këtë sezon në kombëtaren shqiptare dhe në Kroaci, do të kërkojë të lërë shenjën e tij edhe në kontinentin e vjetër.
Dinamoe e Zagrebit ka udhëtuar për në Suedi ku sonte në orën 21:00 do të luajë përballë Malmos në Ligën e Europës, dhe shqiptari do të provojë të shënojë gol edhe aty ku nuk ka mundur ende.
Në Europë njeh një asist në ndeshjen që Dinamo e fitoi në Zagreb ndaj Fenerbahçes së Turqisë, ndërsa rrjetat I ka rezervuar në Ligën e Parë kroate dhe me ekipin kuqezi.
Deri tani, ka tre gola dhe dy asistë në total në sezon, në 13 ndeshje të luajtura për klubin dhe ekipin përfaqësues.
Dinamo cilësohet lehtësisht favorite në Suedi, ndonëse duelet në fushën e Malmos asnjëherë nuk janë të lehta.
Siç shkruajnë mediat kroate, e konkretisht e përditshmja “Jutarnji List”, Hoxha pritet të jetë titullar dhe do të luajë si sulmues krahu, ndërsa sipas gazetës formacionin e “bluve” e dinë edhe zogjtë që rrinë në degët e pemëve.
Skuadra më e shquar e Kroacisë mban vendin e parë deri tani në Ligën e Europës me dy fitore, dhe shpreson të arrijë të tretën./abcnews.al

