Hoxha: Hetim kriminal protestës, dhunuan policët dhe hodhën molotov ndaj institucioneve

schedule23:20 - 7 Tetor, 2024

schedule 23:20 - 7 Tetor, 2024

Protesta e dhunshme e thirrur nga opozita pasditen e 7 tetorit po hetohet nga policia dhe prokuria si një akt kriminal që rrezikoi jetën e forcave të rendit.

Në përfundim të tubimit që zgjati më pak se ç’ishte parashikuar nga organizatorët, ekspertët rrethuan kryeministrinë, godinën e parë që protestuesit nisën të godasin me bomba molotovë e sende të tjera të forta.

Aty mblodhën provat materiale për të identifikuar tubuesit e dhunshëm.

Të njëjta prova u mblodhën edhe tek selia e Partisë Socialiste, Bashkia e Tiranës, Ministria e Brendshme dhe tek Parlamenti.

Policia i nisi hetimet për disa vepra penale, si shkatërrim i pronës me zjarr, kundërshtim dhe mosbindja e punonjësve të policisë, goditje për shkak të detyrës, e deri tek prishja e rendit dhe qetësisë publike.

Për dhunën në protestë reagoi edhe Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha. Teksa vizitoi në Spitalin e Traumës efektivët e lënduar nga përplasja me protestuesit, Hoxha tha se policia tregoi prfesionalizëm dhe mature përballë dhunuesve, që si kurrë më parë sulmuan edhe selinë e kundërshtarëve.

“U sulmuan institucione kushtetuese të shtetit shqiptar, sikurse ju e patë. Janë sulmuar pothuajse të gjitha institucionet e shtetit shqiptar, përfshirë këtu edhe PS. Ky sulm i detyruar, ka bërë që Policia të përgjigjet dhe të zmbrapsë trumën duke përdor edhe gazin lotsjellës.

Shërbimet e policisë kriminale janë duke evidentuar çdo zjarrvënie të qëllimshme, çdo objekt të prishur dhe çdo prishje të rendit dhe qetësisë publike, duke mbledhur çdo material për ta referuar në prokurori. Protesta ishte e dhunshme, në raste kur punonjësit e policisë, përfshihen në flakë, përgjigja e policisë do të jetë shumë e rreptë, në propocion me sulmin”.

Pas protestës, policia nisi edhe shoqërimet e para në komisariate, të personave që hodhën molotovë dhe sende të forta tek forcat e rendit dhe tek godinat e institucioneve shtetërore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!