Rustem Hoxha është gati për ndeshjen me Laçin, skuadër që ai e vlerëson dhe kujton se Teuta ka bërë ndeshje të mira. Mbrojtësin beson se ky duel do të zgjidhet nga lojtarët e sulmit. Para mediave ai e ka nisur kështu deklaratën e tij:
“Të gjitha ndeshjet janë shumë të rëndësishme për objektivin që kemi. Ndoshta nuk kemi pasur edhe fat në disa ndeshje, por kemi bërë lojëra të mira. Më vjen keq që nuk kemi fituar edhe për gabimet tona, por lojërat i kemi bërë shumë të mira ndaj Laçit”.
Statistikat Teuta i ka kundër me Laçin dhe Hoxha shprehet: “Është një ndeshje shumë e vështirë, sepse edhe Laçi ka ekip të mirë dhe kompakt. Kam besim se me vlerësimin që ne i kemi bërë kësaj ndeshje, do të futemi në fushën e lojës për të dhënë më të mirën tonë. Jam i bindur që këtë takim do ta zgjidhin lojtarët e sulmit”.
“Kujt i druhem nga Laçi? Nuk dua që të veçoj asnjë nga lojtarët e Laçit, janë shumë të talentuar të gjithë. Mbi të gjitha kanë shumë sezone që luajnë bashkë në kampionatin shqiptar dhe e njohin më mirë garën”, ka shtuar mbrojtësi durrsak në analizën e bërë.
Teuta ka vuajtur shpesh në shënimin e golave dhe Hoxha shton: “Mendoj që për vetë synimet që ne kemi, pra për të të dalë kampionë, duhet që të shënojnë të gjithë. Nuk është përgjegjësi e sulmit, duhet që të shënojë edhe mesfusha, apo dhe mbrojtja që mund të shkojë te goli edhe me goditje standarde. Të shfrytëzojmë sa më shumë rastet që ne kemi në çdo ndeshje, pasi kemi kualitet në çdo repart në ekip”.
Në fund mbrojtësi i Teutës flet edhe për garën për titull: “Të gjitha skuadrave u kanë munguar pikët, kanë gabuar dhe nuk ka diferencë të madhe. Janë katër ekipe që janë shumë të forta, që kanë të njëjtin nivel, si: Tirana, Partizani, Laçi dhe Vllaznia. Të gjitha këto skuadra kanë shumë vlera”. /abcnews.al