Frika ishte me të vërtetë e madhe. Arbër Hoxha doli me barrelë nga fusha në ndeshjen e kaluar të Ligës së Parë të Kroacisë, dhe u mendua që do ta humbiste derbin e së shtunës.
Dinamo e Zagrebit vërtet fitoi 2-0 në fushën e Goricës dhe futbollisti kuqezi u përpoq shumë derisa u dëmtua në 88’, ndërsa në fundjavë stadiumin “Maksimir” e viziton Hajduku.
Vetë Hoxha lajmëroi se ishte mirë, dhe mediat kroate e pohuan këtë gjë, pasi morën informacion nga klubi I kryeqytetit.
Lojtari ofensiv shqiptar thjesht kishte marrë një goditje të fortë, që sikur e kishte paralizuar për disa minuta, veçse analizat e bëra një ditë më parë nuk treguan asnjë problem.
Është e sigurt, të paktën siç pohohet, se ai do të jetë I gatshëm për të shtunën.
Po flasim për njërin nga lojtarët më të mirë të Dinamos këtë sezon, me kontribut të veçantë, 5 gola e dy asistë në 14 ndeshje që ka luajtur në Ligën e Parë të Kroacisë , si dhe ka shërbyer një asist në Ligën e Europës.
Ndërkaq, tifozët e skuadrës më të madhe kroate kanë shpërthyer me akuza për arbitrin e ndeshjes në Gorica, Mateo Erceg, I cili sipas tyre bëri gabime të rënda, përfshi edhe një prekje me dorë të një rivali gjatë një aksioni të Arbër Hoxhës.

