Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka shprehur shqetësimin e tij për dezinformimin në rritje në Kosovë. Ai ka thënë se ka aktorë keqbërës që dëshirojnë të prishin marrëdhëniet ndëretnike dhe të shkaktojnë përçarje.
Diplomati amerikan ka marrë pjesë në Konferencën për Integritetin e Informacionit, organizuar nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI), mbështetur nga USAID në Kosovë, DISICON.
Aty, ai ka theksuar se një prej prioriteteve të Shteteve të Bashkuara është rritja e sigurisë kibernetike.
“Janë dy qëllime të cilat janë themelore për mbrojtjen e parimeve demokratike dhe hapësirën globale të informacionit. Dezinformomi këtu në Kosovë është i vazhdueshëm dhe është një problem që gjithnjë po rritet, ekzistojnë akterë keqbërës, janë real, të cilët dëshirojnë të preken aleatët tanë, të prishin marrëdhëniet ndëretnike, të shkaktojnë fragmentim dhe përçarje”, ka thënë Hovenier.
Hovenier ka thënë se SHBA-të po e rrisin bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës për luftimin e dezinformimit.
Se kërcënimet janë sfidë globale e ka theksuar edhe Shefja e Sektorit Politik nga Zyra e Bashkimit Evropian, AnnaCarin Platon.
“Kërcënimi i sigurisë kombëtare është sfidë globale dhe kërkon që ne të punojmë së bashku ngushtësisht si partner. Në disa situata gjeopolitike po bëhet edhe më e rëndësishme që ne të punojmë së bashku“, ka thënë Platon.
/KosovaPress/