Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka deklaruar se shteti i Kosovës i ka vendosur parimet e tij në lidhje me dialogun me Serbinë, duke shtuar se nuk do të preket integriteti territorial si edhe karakteri unitari i Kosovës.
Hoti i është përgjigjur në këtë mënyrë të dërguarit special Miroslav Lajçak, i cili u shpreh se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë ndryshime Kushtetuese për të vënë në funksion Asociacionin e Komunave Serbe.
“I dini parimet që ne i kemi vendosur për procesin e dialogut që nuk bisedohet për çështjen e shkëmbimit të territoreve dhe kjo është hequr nga tavolina e bisedimeve, parimi i dytë është se nuk preket karakteri unitar i Kosovës dhe marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse që i adreson të gjitha çështjet në mes dy vendeve me pikën e parë drejtë njohjes reciproke. Ne jemi në proces të dialogut dhe unë jam i kënaqur me progresin qe është bërë deri më tani, parimet që jemi duke mbajtur të cilët po respektohen nga partnerët tanë ndërkombëtar edhe nga ndërmjetësi i dialogut”, tha ai, shkruajnë mediat në Kosovë.
Hoti ka folur edhe për pikën e marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë e cila ka të bëjë me fazën e fizibilitetit të Liqenit të Ujmanit, i cili theksoi se në Prishtinë ndodhet një ekip ekspertësh të Departamentit Amerikan.
“Një ekip e ekspertëve të departamentit amerikan është në Kosovë, në Prishtinë janë duke i studiuar të gjitha modalitetet e nevojshme për të kryer këtë studim të fizibilitetit”, tha ai./abcnews.al/

