Hoteli 7 katësh pa leje në Sarandë/ Zbardhet dosja, si u falsifikua dokumenti i inxhinierëve dhe si u legalizua objekti

schedule08:55 - 21 Mars, 2024

schedule 08:55 - 21 Mars, 2024

Është zbardhur dosja e Prokurorisë së Sarandës lidhur me ndërtimin e paligjshëm dhe më pas legalizimin e një hoteli 7 katësh në Sarandë që çoi në ndalimin e 9 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, përfshirë edhe pronarin që është njëkohësisht ish-Drejtor i ALUZINI Sarandë.

Siç zbulohet nga dosja hetimore, informacioni për këtë rast është referuar nga Drejtoria e Policisë Qarku Vlorë më 17 janar 2024 ku thuhet se “dyshohet se punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Sarandë kanë legalizuar në kundërshtim me ligjin një objekt me 7 kate, në lagjen nr. 4, Sarandë, në pronësi të z. Mariel Murati, ndërsa punonjësit e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtës së Territorit (IKMT) Drejtoria Vlorë dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT), bashkia Sarandë, nuk kanë marrë asnjë masë administrative ndaj subjektit ndërtues”.

Nisja e hetimeve nga Prokuroria, zbuloi se Murati fillimisht në vitin 2017 ka blerë nga shtetasit A. P dhe F. P një objekt kundrejt shumës 133 milionë e 350 mijë lek të vjetra. Objekti sipas prokurorisë ishte pikërisht “pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 470 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 170 m2. Kjo pronë, sipas përshkrimit të veçantë, ekziston në termat lokal si hotel me 4 kate”.

Këqyrja nga ekspertët

Prokuroria ka proceduar me këqyrjen ambientale të objektit, që të evidentohej në terren hotel “Yacht”, rruga “Mitat Hoxha”, lagjja nr. 4, Sarandë. Gjithashtu, është proceduar me vendim nga ana e prokurorisë për caktimin e një grupi prej dy ekspertësh teknik ndërtimi që të evidentohej nëse veprimet ndërtimore plotësojnë elementet për tu konsideruar ndërtim, nëse kemi të bëjmë me një shtesë anësore apo ndërtim të ri në tërësi, si dhe kohën e kryerjes së tyre. Rezulton se ekspertët Flora Fejzaj dhe Yzeir Muço, kanë realizuar aktin e eskpertimit datë 4.3.2024, nga ku sipas tyre ka rezultuar se: “Objekti “Yacht Hotel” i ndodhur ne ZK nr. 8641, nuk është i ndërtuar nga objekti 4 kate si në gjendje teknike fillimi sipas lejes së ndërtimit 2003, por objekti aktual me 7 kate, legalizur me vendim nr. 342/2021 të ASHK Sarandë, është objekt totalisht i ri, i ndërtuar pas prishjes totale të objektit me 4 kate dhe i ndërtuar pjesërisht mbi sipërfaqen e ndërtimit të objektit me 4 kate, “brenda” në pasurinë truall nr. 26/385 sip. 470 m2. Veprimet ndërtimore të konstatuara të kryera në fakt, përbëjnë “ndërtim” dhe duke qenë se nga akti rezulton në krijimin ndërtim i ri, kërkojnë domosdoshmërisht pajisjen me leje ndërtimi. Objekti aktual «Jaht Hotel» me 7 kate është objekt totalisht i ri, i ndërtuar pas prishjes totale të objektit me 4 kate “Lokal + Hotel”. Pamjet nga Ortofoto provojnë se në korrik 2003, objekti në fakt është me 4 kate, me mbulesë çati dhe 1 kat mbulesë soletë. Gjendja teknike e objektit është e njëjtë edhe në vitet 2006, 2010, 2013, 2015, 2016, 2017, 2018, 2019 deri në gusht të vitit 2020 dhe pas 6 muajsh, nga 2/2021 deri në pamjet e fundit dhe aktualisht, është me 7 kate.

Legalizimi i Hotelit

“Objekti referuar aktit të ekspertimit dhe materialeve të përcjella nga DVP Vlorë rezulton të jetë ndërtuar nga fillimi, pra nuk përbën shtesë anësore dhe në lartësi, por objekt tërësisht të ri. Vetë veprimet e prishjes, kategorizohen si veprime që kërkojnë pajisjen me leje, akt të cilin shtetasi Mariel Murati nuk e disponon. Ky objekt, pra veprimet ndërtimore janë kryer në harkun kohor gusht 2020 deri në shkurt 2021, pas hyrjes në fuqi të ligjit të sipërpërmendur, ndaj nuk përbëjnë objekt legalizimi.

Genplani paraprak, mban datën 29.03.2021. Ky akt referon për strukturë me shtesë anësore dhe në lartësi duke pasqyruar objektin 7 kate. Akti i evidentimit në terren nuk ka numër dhe as datë se kur janë kryer verifikimet përkatëse. Genlani i përpunuar mbi pasurinë 18/304-ND me datë 31.03. 2021, referon ndërtesë 7 kate.

Vendimi i legalizimit për shtetasin Mariel Murati ka nr.342, datë 15.04.2021

….

Nga dosja e sekuestruar pranë ASHK Sarandë, nuk rezulton asnjë kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Sarandë apo IVMT, pranë Bashkisë Sarandë. Sa më sipër, nga ana e ASHK evidentohen një sërë shkeljesh: Referuar procedurës së ndjekur nga DVASHK Sarandë, nuk evidentohet periudha në të cilën është bërë ndërtimi pa leje dhe se si ky institucion ka arritur në përfundimin se ndërtimi pa leje është bërë para afatit iigjor (07.05.2020, datë në të cilën ka hyrë në fuqi ligji 20/2020).

Ndërsa, me IKMT nga konfirmimet që ka realizuar ASHK me Shkresën nr.2893prot, datë 09.04.2021, nga IKMT me kthimpërgjigjen nr. 1613/1prot Datë 13.04.2021 është kthyer përgjigje se nuk administrohen akte administrative (pra nuk janë mbajtur procedura).

Me raportin përfundimtar të Auditimit dhe Rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr. 313 të vitit 2023, është përcjellë pranë ASHK Drejtoria Vendore Sarandë me shkresën nr. 313/40, datë 09.10.2023 konstatimi për miratim të lejeve jashtë afatit ligjor dhe janë lënë rekomandimet për nisjen e procedurave të shfuqizimit të vendimeve.

Sa mësipër, me urdhërin nr. 1125, dt. 21.10.2023 është vendosur masa e kufizimit mbi pasurinë e shtetasit Mariel Murati, përfituar me leje legalizimi nr. 342, datë 15.04.2021.

Falsifikimi i dokumenteve inxhinierikë

Në vijim të këtij kufizimi, përfituesi i lejes së legalizimit ka ankimuar vendimin e drejtuesit të ASHK dhe në mbështetje të pretendimeve të tij, ka depozituar akt ekspertizë me datën 15.04.2020 me nënshkrimet e ing. Ira Lito, ing. Durim Bajo dhe Ing. Gentjan Zeneli*** Ky akt ekspertimi pasqyron objekt 7 kate, pra objekti sipas këtij akti ka qenë ekzistent më datë 15.04.2020, fakti i cili rezulton i pavërtetë, pasi sic rezulton nga akti i ekspertimit dhe pamjet nga google earth, ky objekt ka qenë 4 kate në këtë periudhë. Për zbardhjen e ngjarjes, janë sekuestruar aparatet kompjuterike të shtetasve të mësipërm me qëllim evidentimin e kohës dhe personit që ka përpiluar aktin. Gjithashtu, janë marrë deklarimet e shtetasve, ku Ira Lito ka mohuar të jetë nënshkrimi i saj, ndërsa shtetasit Durim Bajo dhe Gentjan Zeneli kanë pohuar se akti i është vënë në dispozicion nga Mariel Murati dhe e kanë nënshkruar në mirëbesim, pa patur dijeni lidhur me qëllimin dhe përmbajtjen. Sa më sipër, nga shtetasi Mariel Murati, i cili ka depozituar një akt bashkëlidhur kërkesës së tij, për të provuar ekzistencën e një fakti të rremë, duke shtrembëruar faktet dhe me qëllim që të heqë urdhrin e kufizimit mbi pasurinë e tij, janë konsumuar elementët e veprës penale të “falsifikimi i dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.

Shkeljet e IVMT dhe IKMT

Janë kryer verifikimet përkatëse pranë IKMT dhe IVMT pranë Bashkisë Sarandë me qëllim këqyrja dhe marrja e këtyre dokumenteve.

Veprimet ndërtimore, për të cilat nuk është mbajtur procedura administrative nga ana e nëpunësve të IVMT, Bashkia Sarandë dhe IKMT për Qytetin e Sarandës ngarkojnë me përgjegjësi penale edhe këta nëpunës që mbulojnë këtë vendndodhje sipas ligjit nr.9780, datë 16.7.2007 “Për Inspektimin dhe Mbrojtjen e Territorit nga Ndërtimet e Paligjshme”.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!