Hotelet nisin përgatitjet për sezonin turistik, çfarë do të ndodhë me të pastrehët pas tërmetit

schedule15:27 / 14/02/2020

Hotelet janë boshatisur. Familjet e mbetura pa strehë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të shkuar janë larguar dhe strukturat akomoduese kanë nisur përgatitjet për sezonin turistik.

“Operacioni është mbyllur. Më shumë se 4 mijë qytetarë janë evakuuar. Asnjë prej tyre nuk është larguar pa marrë zgjidhjen e banesës se ku do të shkonte”, tha Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit Blendi Klosi.

Rreth 94 mijë banesa u dëmtuan, por humbjet më të mëdha sipas Përfaqesueses Rezidente të UNDP në vendin tonë pjesë e grupit të punës që vlerësoi situatën pas tërmetit në terren i ka pësuar sektori prodhues duke rritur ndjeshëm nivelin  e varfërisë në vend.

“Humbjet kanë të bëjnë me punësimin, me kapitalin, me kushtet e jetesës dhe mundësive. Humbjet më të mëdha janë regjistruar në sektorin prodhues në tregun e brendshëm dhe në sipërmarrje. Kjo tregon qartë se si njerëzit që janë në kufi të nivelit mesatar të të ardhurave janë shumë të ekspozuar ndaj tragjedive të tilla dhe sa shumë humbasin ata në krahasim me njerëzit që kanë një jetë më të mirë. Nëse humb biznesin duhen gjashtë deri në 12 muaj për ta ringritur. Gjatë kësaj periudhe humbet të ardhura. Si do të jetosh pa to?”

Në raportin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës publikuar pak ditë më parë nga qeveria humbjet në sektorin prodhues përllogariten rreth 150 milion euro.

Këto deklarata u bënë gjatë prezantimit të studimit mbi reagimin e industrisë së turizmit ndaj përsonave të prekur nga lëkundjet sizmike sipas të cilit 84.5% e të anketuarve  ishin shprehur të kënaqur me shërbimet e ofruara në hotele.

Një person i akomoduar në këto struktura në bregdet gjatë sezonit të ftohtë i ka kushtuar qeverisë shqiptare 2 mijë lekë të reja./abcnews.al

schedule15:27 / 14/02/2020