Një varr masiv me disa qindra kufoma është zbuluar në një qytet në veri të Sirisë, që për tre vjet ka qenë në duart e Shtetit Islamik. Dyshohet se viktimat janë civilë të ekzekutuar në mënyrë të pamëshirshme nga militantët e grupit terrorist.
Rreth 600 trupa të pajetë janë zhvarrosur nga një varr masiv i zbuluar në Raka, qytet në veri të Sirisë që për 3 vjet ka qenë bastioni kryesor i Shtetit Islamik. Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale të qytetit, që aktualisht kontrollohet nga forcat kurdo-siriane dhe koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Burimet kanë nënvizuar se bëhet fjalë për varrin e 14-të masiv të verifikuar në qytet dhe rrethina. Ndërkohë, në një zhvillim tjetër, të paktën 20 civilë, mes të cilëve gra dhe fëmijë, mbetën të vrarë në një sulm ajror në jug-lindje të Sirisë. Agjencia shtetërore e lajmeve “SANA” fajëson për sulmin koalicionin ndërkombëtar anti-ISIS të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas burimit, viktimat ishin civilë që po arratiseshin nga zona e fundit në duart e ISIS, mes Eufratit dhe kufirit iraken. Konkretisht, vijon agjencia e lajmeve, bombardimet ajrore kanë goditur një karvan në të cilin udhëtonin familje nga zona e Baguzit, ku aktualisht po zhvillohen luftime mes militantëve të rrjetit terrorist dhe njësive kurdo-siriane. Sidoqoftë, informacionet janë të pamundura të verifikohen në mënyrë të pavarur në terren. Po të mërkurën, regjimi sirian bëri me dije se mund t’i përgigjet në mënyrë “simetrike” sulmit izraelit ndaj aeroportit të Damaskut, duke goditur aeroportin e Tel Avivit./abcnews.al