Protestat kanë paralizuar për të dytën ditë rresht aeroportin e Hong Kongut, duke bërë që shumë fluturime të anulohen. Manifestuesit kanë përdorur valixhe dhe objekte të tjera për të ngritur barrikada dhe për t’u bllokuar udhëtarëve aksesin në pikat e nisjes.
Fluturimet u ndalën për të dytën ditë rresht në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut, për shkak të protestave anti-qeveritare. Aeroporti, që është ndër më të ngarkuarit në botë, është kthyer në qendër protestash ditët e fundit.
Video të publikuara në rrjetet sociale tregojnë pasagjerë që përpiqen të kalojnë përmes demonstruesve, të cilët qëndrojnë të ulur në tokë duke bllokuar aksesin tek pikat e nisjes.
Brenda aeroportit ata përdorën valixhe dhe objekte të tjera për të ngritur barriera për të penguar udhëtarët. Protestat masive vazhdojnë të trondisin Hong Kongun prej 10 javësh dhe nuk po japin sinjale se po shkojnë drejt fundit. Ato filluan si reagim ndaj projektligjit të ekstradimit në Kinë dhe tani janë kthyer në një lëvizje pro-demokracisë. Manifestimet janë të ushqyera nga frika se liria që Hong Kongu gëzon si një rajon i veçantë administrativ i Kinës do të çrrënjoset.
Të martën, komisionerja e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Mishel Baçelet u bëri thirrje autoriteteve që të tregohen të moderuara në reagimin ndaj protestuesve. Ndërkohë, në një komunikim me mediat, policia në Hong Kong ka bërë të ditur se që prej 9 qershorit, kur protestat morën jetë, janë arrestuar 700 persona.
Të arrestuarit akuzohen për pjesëmarrje në revoltë, grumbullim të paligjshëm, agresion ndaj policisë, rezistencë ndaj arrestimit dhe posedim armësh ofensive. Nëse shpallen fajtor ata rrezikojnë deri në 10 vjet burg. /ABC News Albania 24/7