Hong Kongu ka përjetuar javën e 13-të të protestave pro-demokracisë. Këtë fundjavë policia ka bastisur stacionet e metrosë, që ishin bllokuar nga demonstruesit, duke ushtruar dhunë ndaj tyre.
Policia e Hong Kongut ndërhyri dhe arrestoi me dhunë disa protestues që kishin hyrë në sistemin e metrove, duke bllokuar linjat që të çojnë në aeroport. Ndërkohë, disa mijëra njerëz të tjerë marshuan në qytet, duke sfiduar urdhërin e ndalimit nga autoritetet. Policia goditi protestuesit me shkopinj gome dhe përdori gjithashtu spraj djegës në stacionet e metrosë. Ajo bëri të ditur se, kishte reaguar pas denoncimit të disa qytetarëve se ishin dhunuar nga disa protestues radikalë. Sidoqoftë mbetet e paqartë nëse të gjithë personat e arrestuar në metro ishin të përfshirë në demonstratë. Njerëzit në Hong Kong mbushën rrugët të shtunën për të shënuar 5-vjetorin e urdhërit të lëshuar nga Kina që ndalonte mbajtjen e zgjedhjeve demokratike në ish-koloninë britanike. Protestuesit vunë zjarre, hodhën bomba molotov dhe sulmuan ndërtesën e Parlamentit. Duke reaguar, policia përdori gaz lotësjellës, plumba gome dhe mjete të tjera për të përçarë turmat, si dhe qëlloi në ajër me armë zjarri në formë paralajmërimi. Protestat e fundit erdhën pak ditë pas arrestimit të disa figurave kyçe të protestave pro-demokracisë dhe të disa ligjvënësve në rajonin administrativ të Kinës. Me këtë fundjavë, Hong Kongu ka kaluar 13 javë rresht protestash masive. /ABC News Albania 24/7