Policia në Hong Kong qëlloi plumba gome dhe gaz lotsjellës ditën e premte, për të vënë nën kontroll protestat e rinisura, që kanë hyrë në javën e 14. Liderja e Hong Kongut, Kerri Lam njoftoi më herët gjatë javës një seri koncesionesh për t’i dhënë fund protestave, përfshirë këtu tërheqjen totale të ligjit të ekstradimit.
Por shumë qytetarë deklaruan se koncesionet janë të pakta dhe të vonuara. Disa qindra demonstrues, shumica e të cilëve të maskuar dhe të veshur me të zeza, u mbrojtën nga gazi lotsjellës me çadra dhe barrikada.
Disa të tjerë tejkaluan një gardh metalik dhe hynë në një stacion metroje, ku shkaktuan dëme materiale dhe mbushën muret me grafiti.
“Jemi shumë të inatosur me policinë. Ajo ka qenë shumë e dhunshme ndaj nesh dhe s’mund ta lejojmë t’ia hedhë paq”, deklaroi një protestues.
Manifestuesit u tërhoqën kur policia qëlloi plumbat e gomës, por u mblodhën në grupe më të vogla duke ndezur zjarre në rrugë./ABC News Albania 24/7