Homazhet për ish-kreun e shtetit, mbërrin në Presidencë trupi i pajetë i Bujar Nishanit

schedule09:35 - 1 Qershor, 2022

schedule 09:35 - 1 Qershor, 2022

Trupi i pajetë i ish-presidentit Bujar Nishani ka mbërritur në Presidencë këtë mëngjes. Arkëmorti i tij do të vendoset në sallën “Skënderbeu”, ku familjarët do të presin vizita dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.

Homazhet do të zhvillohen për dy ditë me radhë. Ish-kryetari i shtetit do të përcillet të enjten për në banesën e fundit.

Programi i ceremonisë në nder të ish-Presidentit të Republikës, Bujar Nishani:

Dt. 1 qershor 2022 (e mërkurë)

– Mbërritja e arkëmortit me trupin e Presidentit Bujar Nishani në Tiranë herët në mëngjes dhe do të vendoset Sallën “Skënderbeu” të Institucionit e Presidentit.

– Paradite ora 10:00-14.00 dhe pasdite 16.30-22.00, familja do të presë vizitat e rastit dhe homazhe nga të afërm, miq dhe dashamirës.

Dt. 2 qershor 2022 (e enjte)

Ora 10:00-12.00 Homazhet zyrtare sipas ceremonialit dhe protokollit të shtetit.

Pas orës 12.00 arkëmorti me trupin e Presidentit Nishani, i shoqëruar nga kortezhi mortor shkon në këmbë deri të Ura e Lanës, pastaj niset drejt varrezave të Sharrës ku do të zhvillohet ceremonia e varrimit.

– Ceremonia e varrimit dhe fjalime lamtumire.

– Dreka mortore në nderim të të ndjerit President Bujar Nishani

Ish-presidenti u nda nga jeta të shtunën, pasi ishte i shtruar prej një muaji në një spital në Berlin, Gjermani. Ai u shtrua fillimisht në spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, pasi kishte kompliacione të post Covid. Ish-presidenti u dërgua për mjekim më të specializuar, por shëndeti i tij u përkeqësua për shkak të insuficiencës polmonare të theksuar.

Në karrierën e tij politikë ai njihej për gjuhën e kujdesur dhe maturinë. Bujar Nishani ishte një nga figurat më të rëndësishme të Partisë Demokratike.

Ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme si deputet, ministër dhe kryetar i Këshillit Kombëtar në selinë blu. Në vitin 2012, Nishani u zgjodh president. Ndërsa së fundmi ai ishte anëtar i Komisionit të Rithemelimit. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!