Kuvendi i Kosovës ka organizuar këtë të enjte homazhe me rastin e vdekjes së ish-kryeministrit në ekzil të Kosovës, Bujar Bukoshi.
Ato nisën rreth orës 10 të paradites, ndërsa dyert e Kuvendit qëndruan hapur për disa orë, në pritje të miqve të tij jo vetëm politik, për ti bërë nderimet e fundit.
Kryetari i partisë Lidhja Demokratike e Kosovës Lumir Abdixhiku, parti ku Bukoshi dha drejtpërdrejt kontributin e tij krah Ibrahim Rugovëes, e cilesoi Bujar Bukoshin një politikan të vërtetë të kohës së tij.
Bukoshi ndërroi jetë me 10 qershor, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, në moshën 78-vjeçare.
Ai njihet si një nga figurat më të njohura të skenës politike dhe shëndetësore të Kosovës dhe një nga themeluesit e institucioneve paralele shqiptare gjatë viteve ’90.
Ai u emërua Kryeministër i Qeverisë së Kosovës në ekzil pas shpalljes së Republikës së Kosovës më 1991 dhe për afro një dekadë punoi nga Gjermania për të sensibilizuar botën perëndimore për represionin serb në Kosovë.
Bukoshi do të mbahet mend si një ndër figurat më të përkushtuara të kohës së rezistencës paqësore dhe të periudhës së ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Ai la pas bashkëshorten, tri vajzat dhe dy nipërit e tij dhe vite të tëra kontribut për formimin e shtetit të lire të Kosovës.
Bukoshi do te prehet përgjithmonë në Kompleksin e Dëshmorëve në lagjen Velania të Prishtinës.